Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur nga dritarja për të gjithë mbështetësit e tij, të cilët edhe këtë të martë ishin mbledhur poshtë banesës së tij, teksa ndodhet në “arrest shtëpie” për dosjen “Partizani”.
Berisha u ndal edhe te përgënjeshtrimi që ambasadat në vendin tonë bën ndaj deklaratëve të Lulzim Bashës, se kishin ndërmjetësuar për reformën zgjedhore.
Berisha u shpreh se kjo deklaratë e tij tregon se në ç’shkallë është shpërfytyruar ai, që sipas ish-kryeministrit është marrë peng nga Edi Rama.
“Sot ambasadorët e vendeve kryesore, përfshirë OSBE, reaguan me deklarata duke hedhur poshtë deklaratën e pengut të Edi Ramës, Lulzim Bravës.
Miqtë e mi!
Ajo deklaratë e tij tregonte se çfarë shpërfytyrimi, në ç’shkallë është shpërfytyruar ky njeri, i cili shitjen e tij te Edi Rama, aktet e tij të turpshme të diktuara nga pengmarrësi i tyre, kërkoi të ua paraqesë shqiptarëve si autorizim të ambasadorëve të vendeve kryesore në Tiranë.
E vërteta është se ai bëri vetëm mashtrimin e radhës.
Nga ana tjetër të dashur miq, kjo parodi dëshmon edhe njëherë se me Edi Ramën zgjedhje nuk ka.
Se me Edi Ramën ne veç se do të firmosim grabitjen e radhës të votës tonë.
Në këtë aspekt, beteja juaj, beteja e demokratëve është jetike, vendimtare për shpëtimin e Shqipërisë.
Miqtë e mi!
Edi Rama zhvilloi me 14 maj farsën elektorale më të shëmtuar.
Komuniteti ndërkombëtar publikoi një raport i cili ju garantoj ju, është fjalë për fjalë, mos më i keq, se sa raporti i zgjedhjeve të Vuçiçit në Serbi. Por Beogradi dha një mësim, u derdh në rrugë, nuk lëshoi rrugën dhe zbrapsi diktatorin e tij, dhe faktikisht në Beograd do të fillojë fitorja e opozitës”- u shpreh Berisha.