Ambasada amerikane flet për zgjedhjet dhe i jep “mesazh” Berishës: Nuk takohemi me individë të përfshirë në korrupsion madhor

Ambasada amerikane në një reagim të fundit në rrjetet sociale ka folur për takimet e zhvilluara nga e Ngarkuara me Punë në Tiranë, Nancy VanHorn.

Ko e fundit është takuar me përfaqësues të ndryshëm të opozitës, nga të cilët thotë se ka dëgjuar një larmi këndvështrimesh mbi sfidat me të cilat përballet populli shqiptar, shqetësimet për mjedisin e ardhshëm zgjedhor dhe sesi Shqipëria mund të ndërtojë një të ardhme më të mirë.

Në fund të reagimit ka edhe një mesazh për kreun e Partisë Demokratike, Sali Berishën, pasi ambasada vijon të thotë se i qëndron angazhimit për të mos u takuar me individë të përcaktuar si të përfshirë në korrupsion madhor.

Deklarata e Ambasadës së SHBA:

“Një opozitë e shëndetshme është pjesë me rëndësi kritike e një demokracie të gjallë. I vlerësoj mundësitë që kam pasur muajt e fundit për t’u takuar me përfaqësues të ndryshëm të opozitës për të dëgjuar një larmi këndvështrimesh mbi sfidat me të cilat përballet populli shqiptar, shqetësimet për mjedisin e ardhshëm zgjedhor dhe sesi Shqipëria mund të ndërtojë një të ardhme më të mirë. Nxis të gjitha palët të angazhohen në mënyrë konstruktive në një proces politik që është i barabartë për të gjithë. Ne i qëndrojmë pozicionit tonë të kahershëm se nuk angazhohemi me individë të përcaktuar për përfshirje në korrupsion madhor.” – E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn