Amazon ka bërë hapin më të madh deri tani në përpjekjet për të ndërtuar një rrjet global interneti nga hapësira, duke lëshuar një grup të parë satelitësh të projektit të saj ambicioz “Project Kuiper”. Këta satelitë u nisën në orbitën e ulët të Tokës të hënën në mbrëmje nga Stacioni Hapësinor në Cape Canaveral të Floridës, mbi një raketë Atlas V të ndërtuar nga United Launch Alliance.
Ky lëshim përbën fazën e parë të projektit që synon të krijojë një konstelacion prej rreth 3,200 satelitësh, të cilët do të ofrojnë internet me shpejtësi të lartë në zona të largëta dhe të pashërbyera nga infrastrukturat tradicionale tokësore. Projekti pritet të rivalizojë drejtpërdrejt me Starlink të kompanisë SpaceX, e cila tashmë ka mbi 4.6 milionë përdorues globalë.
Gara për internet nga hapësira
Ashtu si Starlink, edhe Project Kuiper është pjesë e një gare më të gjerë për të revolucionarizuar infrastrukturën globale të internetit. Për shkak se satelitët operojnë në orbitën e ulët të Tokës, ata mund të ofrojnë lidhje më të shpejtë se sa satelitët tradicionalë që ndodhen në orbitë gjeostacionare shumë më larg.
Satelitët e Kuiper do të orbitonin rreth 450 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës, ndërkohë që satelitët e Starlink qëndrojnë pak më lart, rreth 550 kilometra. Të dyja rrjetet kanë avantazhe të mëdha ndaj ofruesve tradicionalë të lidhjeve satelitore si Inmarsat apo Viasat.
Një sfidë e kushtueshme
Sipas një raporti të kompanisë Raymond James, ngritja e gjeneratës së parë të Kuiper mund t’i kushtojë Amazon deri në 17 miliardë dollarë. Për më tepër, projekti mund të gjenerojë shpenzime prej 1 deri në 2 miliardë dollarë në vit, edhe pas daljes në treg.
Analistët në Wall Street janë skeptikë nëse Amazon do të arrijë të konkurrojë realisht me SpaceX, e cila ka ndërtuar me sukses një rrjet të qëndrueshëm dhe të gjerë. Craig Moffett, drejtor i lartë në firmën kërkimore MoffettNathanson, shprehet se “është shumë e mundur që Amazon ka hyrë në garë shumë vonë për të qenë një investim tërheqës”.
Impakte gjeopolitike dhe potencial i gjerë
Përtej konkurrencës teknologjike, projekti Ka përmasa edhe gjeopolitike. Ndryshe nga Elon Musk, i cili është përfshirë shpesh në polemika për shkak të rolit të Starlink në zonat e konfliktit si Ukraina, Jeff Bezos mund të shihet si një figurë më neutrale në skenën ndërkombëtare.
Ndërkohë, Amazon ka një potencial të madh për të shfrytëzuar projektin në favor të shërbimeve të tjera, përfshirë Amazon Web Services dhe flotën e saj logjistike, duke rritur ndjeshëm bazën e përdoruesve të saj në nivel global.
Sipas kompanisë, shërbimi për përdoruesit e parë pritet të fillojë brenda këtij viti.
“Nuk ka rëndësi si shkon kjo mision i parë, ky është vetëm fillimi i rrugëtimit tonë,” tha Rajeev Badyal, zëvendës-president i Project Kuiper. “Kemi të gjitha pjesët e nevojshme për të mësuar dhe për t’u përshtatur në misionet e ardhshme.”