Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, ka nisur raportimin në mbledhjen e përbashkët të komisioneve parlamentare të Ligjeve dhe për Nismat Qytetare.
Gjatë raportimit të tij, Dumani bëri me dije se gjatë vitit 2024 janë sekuestruar 65.5 milionë euro pasuri, 60% më shumë se në vitin 2023, duke përfshirë pasuri të paluajtshme dhe llogari bankare.
Kreu i SPAK bëri me dije se gjatë 33 zyrtarë të lartë janë hetuar për korrupsion me metoda proaktive.
Mes të tjerash, Dumani evidentoi rritjen e ndjeshme të hetimeve për korrupsion dhe forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe profesionale të SPAK, në përputhje me rekomandimet e institucioneve vendase dhe ndërkombëtare.
Sa i takon krimeve zgjedhore, Dumani tha se janë regjistruar 43 procedime, me 7 persona nën hetim.
“Gjatë vitit 2024 SPAK ka patur ndjekjen e rekomandimeve të BE, rezolutës së Kuvendit dhe rekomandimeve prioritare të Këshillit të Ministrave në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit. Numri i prokurorëve u rrit në 20, u rritën edhe trajnimet ndërkombëtare. U rritën me 8% çështjet në hetim. Në nëntor 2024 u miratua udhëzimi për masat administrative dhe procedura për kryerjen e hetimit pasuror dhe financiar, që i zhvillon paralelisht me hetimin penal. Gjatë vitit 2024, janë sekuestruar 65.5 milionë euro, një rritje me 60% krahasuar me 2023, duke përfshirë pasuri të paluajtshme, bankare dhe kriptovaluta”, raportoi Dumani.