Alfred Peza largohet nga drejtimi i RTSH-së, në 9 muaj u akuzua për shkarkime masive të punonjësve

Alfred Peza ka dhënë dorëheqjen e tij si drejtor i Radio Televizionit Shqiptar. Zgjedhja e ish-deputetit të PS në krye të RTSH në qershor të vitit 2023, u shoqërua me shumë polemika, për shkak të shkarkimeve masive të stafit teksa është akuzuar se ka emëruar të afërm dhe bashkëpunëtorë të tij, të cilët nuk kishin qenë më herët pjesë e organikës së RTSH-së.

Mandati i tij në krye të RTSH-së ka zgjatur më pak se një vit, ndërkohë që prej marrjes së detyrës është përballur me kritika të shumta në lidhje me menaxhimin dhe largimet masive të punonjësve.

Rikujtojmë se pak javë më parë, një regjisor në RTSH u largua nga puna pasi lavdëroi punën e tij në rrjetet sociale.

Mësohet se dorëheqja e Pezës është protokolluar ditën e sotme ndërsa nuk dihet se kush do ta zëvendësojë atë.

Në lidhje me largimin e Pezës, ka ardhur dhe reagimi i parë nga opozita. Ka qenë deputetja e PD Ina Zhupa, e cila e ka konsideruar një fitore të vogël largimin e tij.

“Një fitore e vogël clirimi i RTSH nga paligjshmëria me dorëheqje të detyruar të Alfred Pezës! Që para se të zgjidhej e kam denoncuar që po përgatitej zgjedhja e tij me porosi;

Kur u zgjodh e kam denoncuar si zgjedhje të paligjshme se nuk plotësonte kriteret e ligjit që nuk duhet të kishte qënë deputet para dy legjislaturave, që nuk duhet drejtonte media 6 muajt e fundit, që nuk duhet ishte aksioner në media por prap e mbajtën në mënyrë antiligjore.

Gjatë periudhës së shkurtër të qëndrimit e kam denoncuar si abuzues me detyrën me shkarkimet e paligjshme dhe jashtë çdo norme të kodit të punës dhe norme morale dhe njerëzore. Në të njëjtën mënyrë abuzive dhe punësonte pa asnjë kriter dhe menaxhonte fondet publike të RTSH si personale”, shkruan Zhupa në postimin e saj në rrjetet sociale.