Akuzat për kullën, Basha i përgjigjet Bardhit jashtë Kuvendit: Shpifje e shkollës berishiste! Dje sulmonte babain e Zenit, sot është bërë avokat i tyre

Lulzim Basha i është përgjigjur jashtë Kuvendit akuzave të Gazment Bardhit se në muajin e fundit ka marrë 2 kate në një nga kullat më të shtrenjta të Tiranës.

Sipas Bashës, këto janë shpifje të shkollës berishiste, që vijnë nga një person që deri dje “e sulmonte babain e Zenit dhe sot është bërë avokat i tyre”.

“Përgjigja ime ishte aty. Është shpifje e pastër e shkollës berishiste. Vjen nga një njeri që sulmonte babain e Zenit dhe sot është bërë avokat dhe i kullave 64 katëshe. Familjarët e mi e kanë çdo gjë transparente, cent më cent taksat ndryshe nga aleancat e kullave dhe avokati i tyre më i ri, Gaz Bardhi”, tha Basha.

Kujtojmë se seanca e sotme plenare në Kuvend u shoqërua me debate të ashpra mes Bashës dhe Bardhit, të cilët nuk i kursyen as akuzat personale ndaj njëri tjetrit.