Aksidenti tragjik në Fushë-Prezë/ 4 të rinjtë lëviznin me shpejtësi deri në 200 km/h, shoferi i betonierës: Harrova të ndezë bllokazhin

Policia Rrugore ka zbardhur dinamikën e aksidentit tragjik në Fushë Prezë ku humbën jetën 4 të rinjtë, Enejd Laçi, vëllai i tij Erild Laçi, kushëriri i tyre Andi Laçi dhe shoku Enrikejd Kurti.

Mësohet se mjeti tip Mercedes Benz ku ndodheshin të rinjtë ka parakaluar edhe kamionë të tjerë që lëviznin në rrugën Vorë-Fushë Krujë. Më pas kanë hyrë sërish në karrexhatë dhe janë përplasur me betonierën që kishte ndaluar pa sinjalistikën përkatëse.

Sipas policisë në momentin e përplasjes mjeti ka qenë më shpejtesi rreth 170 km në orë ndërsa gjatë lëvizjes kur ka kryer dhe parakalimin mund të ketë qenë më shpejtësi rreth 200 km në orë.

Ndërkohë shoferi i betonieres, Aleksandër Krrashi ka deklaruar para grupit hetimor se sapo ka hyrë në rrugën kryesore pasi ka dalë nga vendi i punës, i është fikur mjeti pasi i kishte mbaruar nafta. Ai thotë seështë shprehur se ka provuar ta ndezë dy herë dhe pasi ka parë se një gjë e tillë nuk po funksiononte, ka shkuar në një karburant aty pranë për të marrë naftë, por ka harruar të ndezë bllokazhin e makinës.

Lidhur me aksidentin tragjik në pranga ka rënë shoferi i betonieres Aleksandër Krrashi, i cili nuk kishte patentë për këtë kategori mjetesh. Në pranga përfundoi edhe kushëriri i tij, që e ndihmoi për t’u larguar nga vendi i ngjarjes si dhe menaxheri i firmës për prodhimin e betonit, në të cilën ishte i punësuar 24 vjeçari, Krrashi.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se menaxheri nuk kishte marrë masa për pajisjen e betonieres, me dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim dhe kishte punësuar drejtuesin e betonieres, pa patur leje drejtimi për këtë kategori mjetesh.

Gjithashtu, është shpallur në kërkim administratori i firmës së prodhimit të betonit, Samir Hoxha.