Aksidenti me vdekje në minierën e Katjelit, nisin hetimet për administratorin, drejtuesin teknik dhe përgjegjësin e turnit

Një ngjarje e rëndë ndodhi dje në fshatin Katjel të Përrenjasit, ku një 57 vjeçar humbi jetën në vendin e punës.

Mësohet se minatori Sajmir Bego, 57-vjeç, i cili ishte dhe kryetar i sindikatës së minatorëve në atë zonë, ishte duke punuar teksa një masiv minerali ka rrëshqitur dhe për pasojë ai ka humbur jetën.

Ndërkohë policia njofton sot ka nisur procedimi për administratorin e minierës, Gëzim Balla 56 vjeç, drejtuesin teknik shtetasin Hysni Kllogjri 62 vjeç dhe përgjegjësin e turnit shtetasin Gëzim Kllogjri 62 vjeç. Mbi to rëndon vepra penale ‘shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë’.

Librazhd

Në vijim të njoftimit të dhënë ditën e djeshme, për ngjarjen e ndodhur, në fshatin Katjel, ku gjatë punës në minierën e kromit ka rrëshqitur një masiv minerali, dhe për pasojë ka humbur jetën shtetasi S. B., 57 vjeç, grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë ka vijuar veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Në vijim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, për administratorin e minierës, shtetasin G. B., 56 vjeç, drejtuesin teknik shtetasin H. K., 62 vjeç dhe përgjegjësin e turnit shtetasin G. K., 62 vjeç.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.“, thuhet në njoftimin e policisë.