Ajsbergu më i madh aktualisht në botë, i njohur si A23a, po shpërbëhet me shpejtësi në disa fragmente të mëdha, kanë bërë të ditur shkencëtarët e British Antarctic Survey (BAS).
Ky ajsberg gjigant, që dikur peshonte rreth një trilion tonë metrikë dhe shtrihej në një sipërfaqe prej 3,672 kilometrash katrorë — pak më i madh se shteti amerikan i Rhode Island — është monitoruar nga afër që prej vitit 1986, kur u shkëput nga platforma e akullit Filchner-Ronne në Antarktidë.
Që nga atëherë, A23a ka mbajtur disa herë titullin e ajsbergut më të madh aktiv, edhe pse herë pas here është tejkaluar nga masa akulli më të mëdha, por jetëshkurtra, si A68 në vitin 2017 dhe A76 në 2021.
Së fundmi, ajsbergu ka filluar të shpërbëhet, duke humbur pjesë të mëdha që tashmë klasifikohen si ajsbergë më vete nga Qendra Kombëtare për Ajsbergët në SHBA.
Sipas oqeanografit të BAS, Andrew Meijers, A23a është zvogëluar ndjeshëm dhe tani mbulon një sipërfaqe prej rreth 1,700 kilometrash katrorë — përafërsisht sa zona metropolitane e Londrës së Madhe.
Nga bllokimi shumëvjeçar te shpërbërja
Për më shumë se 30 vjet, A23a kishte mbetur i ngulitur në fundin e Detit Weddell në Antarktidë, derisa gradualisht humbi masën e tij dhe u lirua nga dyshemeja oqeanike. Në vitin 2020, nisi të lëvizte nën ndikimin e rrymave detare, por mbeti sërish i bllokuar në një formacion të quajtur kolona Taylor — një vorbull uji që krijohet kur rrymat përplasen me një mal nëndetar.
Në dhjetor të vitit të kaluar u raportua se kishte rifilluar lëvizjen. Në mars 2025, u përplas me shelfin kontinental, për t’u shkëputur sërish në maj.
Meijers shpjegon se që nga ajo kohë, ajsbergu ka ndjekur rrymën e fuqishme Southern Antarctic Circumpolar Current Front (SACCF), duke lëvizur në drejtim të kundërt me akrepat e orës rreth ishullit South Georgia. Kjo rrymë pritet ta tërheqë A23a dhe fragmentet e tij drejt verilindjes, në një zonë të njohur si “korridori i ajsbergëve”.
Një fund i ngjashëm me paraardhësit e tij
A23a duket se po ndjek të njëjtin fat si ajsbergët A68 dhe A76, të cilët u shpërbënë pranë South Georgia-s në vitet 2021 dhe 2023. Megjithatë, A23a ka qëndruar i paprekur për më gjatë se të dy ata.
Tashmë, titulli i ajsbergut më të madh në botë i ka kaluar D15a, i cili shtrihet në rreth 3,000 kilometra katrorë dhe, sipas Meijers, është relativisht i qëndrueshëm pranë bregut të Antarktidës, afër bazës australiane Davis.
A23a mban ende vendin e dytë, por kjo pritet të ndryshojë së shpejti, pasi ai vazhdon të copëtohet. Me fillimin e pranverës jugore dhe rritjen e temperaturave të ujit, fragmentet do të bëhen aq të vogla sa nuk do të jenë më të gjurmueshme.
Ndikimi i ndryshimeve klimatike
Shkëputja e ajsbergëve është një proces natyror, por sipas shkencëtarëve, nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të konfirmuar nëse shfaqja e këtyre “ajsbergëve gjigantë” është në rritje për shkak të ngrohjes globale. Megjithatë, është e qartë se platformat e akullit kanë humbur triliona tonë akull gjatë dekadave të fundit, kryesisht për shkak të ujërave më të ngrohta dhe ndryshimeve në rrymat oqeanike.
Shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor po nxisin ndryshime të rrezikshme në Antarktidë, me pasoja potencialisht katastrofike për rritjen e nivelit të detit në mbarë botën.
Një ekip i British Antarctic Survey, i vendosur në anijen kërkimore RRS Sir David Attenborough, vizitoi A23a ndërsa ishte i ngulitur pranë shelfit të South Georgia-s. Mostrat e marra janë kthyer në Mbretërinë e Bashkuar për analiza të mëtejshme.
“Ngritja në tokë e ajsbergut dhe lirimi i sasisë së madhe të ujit të ftohtë të ëmbël ka të ngjarë të ketë ndikuar ndjeshëm në organizmat e poshtë dhe përreth tij,” tha një zëdhënës i BAS, duke shtuar: “Është e rëndësishme të kuptohen këto ndikime, pasi ajsbergët e mëdhenj mund të bëhen një dukuri më e zakonshme në South Georgia për shkak të ngrohjes globale.”