Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut, Erion Veliaj është paraqitur sot në SPAK në zbatim të masës “detyrim paraqitje” që GJKKO caktoi ndaj saj më 12 shkurt.
Xoxa akuzohet nga SPAK për tri vepra penale: korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Këto akuza ajo i ka hedhur poshtë përmes një reagimi të gjatë që bëri në rrjete sociale pak ditë më parë.
Ashtu si bashkëshorti i saj, Xoxa thotë se është marrë peng me dhunë, është dënuar dhe e ekzekutuar pa gjyq në gjyqin e politikës, medias dhe rrjeteve sociale. Në një reagim të gjatë, Ajola Xoxa ndalet edhe te puna e saj 17 vjeçare si juriste dhe shprehet se punon 12 orë në ditë, edhe gjatë fundjavave, deri në 2 dhe 3 të natës.
Ajola Xoxa paralajmëron se do ta çojë çështjen deri në Gjykatën e Strasburgut për të mbrojtur pafajësinë e saj të plotë.
Kujtojmë se fillimisht ndaj Ajola Xoxës u vendos “arrest shtëpie”, por gjykata lehtësoi masën e sigurisë duke marrë parasysh se është nënë e një fëmije të vogël dhe duhet të kujdeset për të.