Agron Shehaj: Synojmë mandate në të gjitha qarqet me mbi 10 deputetë! Votat tona kurrë kundër Drejtësisë

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka folur sot në Euronews Albania në lidhje me zgjedhjet e 11 Majit, ku forca e tij politike garon për herë të parë.

I pyetur se sa mandate synon Mundësia të marrë në 11 Maj, Shehaj u shpreh se në bazë të sondazheve që kanë dalë, partia e tij ka rreth 10% të votave, ndaj do të synojnë të marrin të paktën 1 mandat në çdo qark që ka më shumë se 10 deputetë. Sipas tij, një rol të rëndësishëm do ta luajë edhe Diaspora, e cila voton për herë të parë.

“Sipas sondazheve që ne kemi parë, ne kemi rreth 10% të votave. Duke u nisur nga kjo e dhënë, në të gjitha qarqet që kanë mbi 10 deputetë, mund të pretendojmë të marrim mandat. Ne kemi mbështetje edhe brenda vendit, por edhe jashtë vendit. Diaspora do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në këto zgjedhje”, tha Shehaj.

Por me kë do t’i bashkojë votat Mundësia nëse do të jetë përcaktuese për qeverinë e re?

Shehaj deklaroi se qëllimi i Partisë Mundësua është për t’i dhënë Shqipërisë një qeveri të pakorruptuar, teksa shton se lufta e partisë së tij është për të larguar Edi Ramën dhe modelin e tij të qeverisjes.

Ai siguron që asnjë votë e deputetëve të Mundësisë nuk do të shkojë kundër Drejtësisë, por do t’i shërbejnë kauzave të forcës së tij politike, për të hequr barrën e shtetit nga kurrizi i qytetarëve.

“Partia Mundësia është për t’i dhënë Shqipërisë një qeveri të pakorruptuar. Lufta jonë është për të larguar Edi Ramën dhe modelin e tij nga qeverisja. Ne kemi pikat tona në të cilat nuk ka asnjë diskutim. Që do të thotë: një shtet më të vogël. Votat tona do t’i shërbejnë kauzave tona. Votat e Partisë Mundësia s’kanë për të shkuar kurrë kundër drejtësisë”, deklaroi Agron Shehaj.