Deputeti Agron Shehaj ka denoncuar edhe njëherë se investimi në Sazan nuk po bëhet për të përfituar Shqipëria, por për interesat personale politike të kryeministrit Rama.
Ai u shpreh në emisionin “Opinion” se me deklaratat në media, qeveria po tenton t’i bëjë shqiptarët për budallenj, duke thënë se nga investimi në Sazan përfitojnë qytetarët, por e vërteta është ndryshe.
Sipas tij, shkrimi i New York Times e tregoi qartë se investimi po bëhej për interesat e kryeministrit, ndërkohë që nga zhvillimi i Sazanit do përfitojnë veç Ramës, edhe ndërtuesit e resorteve.
“Kemi një konflikt të pastër politik interesi të kryeministrit. Po e jep Sazanin se është investitori më i mirë në botë, apo është ai për të cilin kryeministri ynë ka nevojë dhe është i gatshëm të japë edhe Sazanin? Çështja është politike. Sigurisht që ka përfitime nga një resort në Sazan, problemi është që kush përfiton më shumë. Këtu po i bëjnë të gjithë për budallenj, se përfiton Shqipëria dhe shqiptarët. Jo, kanë emër dhe mbiemër përfituesit. Dhëndri i Trump përfiton, kryeministri përfiton personalisht mbështetje politike dhe interesi politik i kryeministrit nuk është i njëjtë me interesin politik të shqiptarëve. Përfitojnë ata që do ta ndërtojnë, që kanë dalë në shkrimin e New York Times. Nuk ishte shkrim i mirë për Shqipërinë. Fliste për një ngatërresë, se si kryeministri i Shqipërisë bashkë me disa oligarkë, ka bërë gjithçka për të afruar dhëndrin e presidentit të ardhshëm të mundshëm në Shqipëri. Një lexues i New York Times, një amerikan, pasi të lexonte një shkrim të tillë do thoshte: “një aferë tipike e një vendi të humbur me një kryeministër të korruptuar që është përfolur edhe për çështje të tjera”. Ne raste të tilla kemi parë, kryeministri ka bërë me resorte ministrat e tij. Kryeministri ka kapur turizmin me oligarkët, ministrat e vetë dhe familjarët e tyre”, tha Shehaj.