AFERA ME STERILIZIMIN/ SPAK merr të pandehur Ilir Beqajn, “detyrim paraqitje” dhe bllokim i pasaportës për ish-ministrin e Shëndetësisë

Prokuroria e Posaçme ka vendosur masë sigurie “detyrim paraqitje” për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, për të cilin ka nisur procedim penal për veprat penale  të “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrëve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë” në lidhje me aferën e koncesionit të sterilizimit.

Për këtë aferë janë arrestuar ish-zv.ministri Klodjan Rjepaj dhe biznesmeni që përfitoi rreth 100 milionë dollarë nga ky koncesion, Ilir Rrapaj.

Nisur nga provat që ka, SPAK në dosje i ka treguar gjykatës se dyshon që biznesmeni Ilir Rrapaj që përfitoi këtë koncesion ka miqësi me ish-ministrin Ilir Beqaj dhe ish-zv. ministrin Klodian Rjepaj, të cilët ishin në detyrë kur u firmos ky koncesion.

Hetimi i SPAK

Një kakofoni shifrash dhe vlerësimesh janë mbështetur në një sërë kriteresh, ku në fund Ilir Beqaj, ka firmosur të shpallë fituese Bashkimin e Operatorëve Ekonomikë, “Servizi Italia”, që përfaqësohej nga miku i tij, Ilirjan Rrapaj.

Në total kompania fituese e konçesionit 100 milion euro ka marrë 73.98 pikë, ndërsa kompania humbëse 42.83 pikë. Megjithëse grupi i kompanive që përfaqësoheshin nga “Action Landeri” u ankua pranë Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, duke renditur një sërë shkeljesh në përllogaritjen e pikëve, KPP vendosi të pranojë ankesën duke kthyer mbrapsht në Ministrinë e Beqajt praktikën e miratimit të koncesionit.

Pas këtij vendimi detyrues, procedura e mbledhjes së pikëve është mbajtur në datën 28 shtator 2015 dhe pikërisht në atë ditë është shpallur fituesi, ku sërish ka qenë bashkimi i operatorëve “Servizi Italia”. Këtë herë kjo kompani ka marrë më shumë pikë se në vlerësimin e parë, ku nga 73.98 në 91.03 pikë, rreth 22 pikë më tepër. Pas këtij vlerësimi të dytë,

Beqaj ka firmosur dhe kontratën me kompaninë në fjalë, duke i hapur rrugën implementimit të konçesionit 10 vjeçar për sterilizimin e instrumentave kirurgjikalë.

Njoftimi i SPAK:

Në datë 13.01.2020, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin penal nr.13 të vitit 2020 që bën fjalë për veprat penale  të “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrëve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, në lidhje me procedurën e dhënies me koncension “Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë, furnizimin me material mjeksor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, nga Ministria e Shëndetësisë.

Në vazhdim të hetimeve për këtë procedim penal, me kërkesën të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.119 akti datë 16.11.2023 ka vendosur si më poshtë vijon:

·       Caktimin ndaj personit nën hetim I.B. me detyrë ish-Ministër i Shëndetësisë, të masës së sigurimit “Detyrim për paraqitje në Policisë gjyqësore” dhe “Ndalim i i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga nenet 234 dhe 233 të K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.

·       Urdhërohet personin nën hetim I. B. që të paraqitet para policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një herë në javë, ditë të premte, ora 15.30.

·       Urdhërohet personin nën hetim I.B. të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës.

·       Ndalohet përdorimi i pasaportës dhe mjeteve të tjera identifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit, për personin nën hetim I.B..

Vendimi për caktimin e masës së sigurimit personal është ekzekutuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (në datën 17.11.2023).

Hetimet vazhdojnë në drejtim të evidentimit të përgjegjësisë penale të personave të tjerë të cilët gjatë kësaj procedure kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin dhe përmbushjen e rregullt të detyrës.