Afera “5D”/ Gjykata e Posaçme vendos më 14 shkurt për fatin e ish-drejtorëve të Bashkisë së Tiranës

Gjykata e Posaçme do të shpallë me 14 shkurt, në orën 12:00, vendimin në lidhje me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për kalimin për gjykim të të pandehurve të dosjes “5D”.

Nga hetimet ka rezultuar se pandehurit Redi Molla dhe Mariglen Qato, që po hetohen me masën e arrestit në burg, në kohën që kanë mbajtur postin e drejtuesit të UKT, kanë qenë pronarë të fshehtë të shoqërisë “5D Konstruksion” duke përdorur ortakë fiktivë.

Qato e Molla janë marrë të pandehur për korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike, fshehje dhe mos deklarim të pasurisë dhe pastrim parash.

Sipas SPAK, kompania 5D, rezulton se ka përfituar në mënyrë të parregullt 12 tendera publikë në vitet 2016-2020, duke shkelur rregullat e prokurimit për të përfituar në kundërshti me ligjin rreth 193 milionë lekë.

Në të njëjtën kohë SPAK thotë se, shoqëria “5D” ka marrë pjesë në tendera të organizuar nga UKT, Bashkia Tiranë, “Tirana Parking” dhe “Klubi Sportiv Tirana”, duke u favorizuar nga ish-drejtori i punëve publike Taulant Tushe, i cili po ashtu mbahet në qeli.

Tushe akuzohet për “shkelje të barazisë në tendera dhe shkelje në tendera të kryer në bashkëpunim me anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave.

Ndërsa përfitimet monetare që janë siguruar në mënyrë të pa ligjshme janë përdorur për blerjen e pasurive dhe financimin e aktiviteteve të tjera tregtare të cilat tashmë janë vënë në sekuestro.

Po kështu, SPAK ka veçuar hetimet dhe po punon për identifikimin e personave të tjerë, të cilët mund të kenë përfituar nga tenderat që ka përfituar shoqëria 5D.

Të pandehurit Redi Molla, Taulant Tushe dhe Mariglen Qato kanë kërkuar të gjykohen me procedurën e gjykimit të shkurtuar.