Abuzimi me tenderat, GJKKO lë në burg administratorin e UBT dhe 4 të tjerë

GJKKO ka lënë në burg 5 të arrestuarit në lidhje me abuzimet ne tenderat të Univeristetin Bujqësor të Tiranës. GJKKO ka lënë në burg Eduard Tërthorja, administrator i Universitetit Bujqësor, Altin Murton, drejtor i fondeve, Amarildo Lleshin, drejtor i prokurimeve, Mehmet Qoshka, specialist i fondeve dhe Pirro Zogun, me këtë të fundit që ndodhet jashtë vendit.

Në seancën që zgjati disa orë, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masat për 19 personat e dyshuar, ndërsa ndryshoi vetëm për 5 të tjerë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur”.

Hetimet e SPAK zbuluan një skemë korruptive, ku janë përfshirë zëvendësrektori i universitetit, administratori dhe anëtarë të njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave. Ata dyshohet se kanë bashkëpunuar me kompani private, duke përcaktuar fituesit e tenderave paraprakisht dhe duke falsifikuar dokumente për të rritur vlerën e kontratave publike.

Hetimet për abuzime nisën në 2022 nga dy prokurorët, Vladimir Mara dhe Dritan Prenci, të cilët përpos se kaluan në lupë disa prokurime publike, përdorën edhe metoda të vëzhgimit dhe të përgjimit në UBT.