Kreu i Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), Jonaid Myzyri u paraqit të hënën në Gjykatën e Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të kundërshtuar masat e sigurisë të caktuara më herët ndaj tij: “pezullim nga detyra” dhe “detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore”, duke kërkuar heqjen apo zbutjen e tyre.
Por, Apeli i Posaçën vendosi të rrëzojë kërkesat e Myzyrit duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme.
Ai është marrë i pandehur nën akuzën për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim.
Më datë 24 qershor kreu i Prokurimeve Publike u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK. Akuza ka të bëjë me tenderin për mirëmbajtjen e aksit rrugor Shpal-Ura e Repsit me gjatësi totale 58.7 km dhe me vlerë 2.29 milionë euro.
Për këtë procedurë prokurimi krahas Jonaid Myzyrajt, janë marrë të pandehur edhe 10 persona të tjerë, 7 prej të cilëve të akuzuar për shkelje e barazisë në tendera publikë, kryer në bashkëpunim.
Kurse tre të tjerët, përkatësisht Ardian Kaza, Ndoc Kulla dhe Gerald Adhiaj, akuzohen si të dyshuar për falsifikim dokumentesh.