A u shkel Kushtetuta? SPAK pretendon se masa e sigurisë për Berishën s’ka nevojë për miratimin e Kuvendit

Masat e sigurisë ndaj kreut të opozitës dhe ish kryeministrit Sali Berisha, për detyrim paraqitje dhe sekuestrim të pasaportës, kanë ngritur një shqetësim në lidhje me shkeljen e mundshme të Kushtetutës së vendit si dhe lirive të të zgjedhurit si deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Burime nga Organi i Posaçëm i akuzës për Media Ditarin, lidhur me masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje” për ish-kryeministrin shqiptar Sali Berisha, për privatizimin e Klubit Sportiv “Partizani”, thonë se prokurorët nuk kanë pengesë për të kryer veprime për të mandatuarit për sa kohë nuk u cënohet liria.

Kësisoj, të zgjedhurit deputetë nuk e humbasin përmes detyrimit të paraqitjes kontaktin me zgjedhësit. Kjo nënkupton se nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, deputeti Sali Berisha, e gëzon mundësinë për t’ju drejtuar votuesve të tij nga foltorja e parlamentit dhe njëherësh ai mund të lëvizë brenda territorit lirisht për tu takuar me ta.

Por Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 73, pika 2, përcakton se: “Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit”.

Pra, sekuestrimi i pasaportës së Sali Berishës shkel Kushtetutën, pasi ish-kryeministrit i ndalohet liria e lëvizjes jashtë vendit. Me anë të këtij ligji, Berisha pretendon se SPAK është në shkelje të ligjit, ndaj edhe nuk pranon të paraqitet në Gjykatën e Posaçme derisa kërkesa për hetimin ndaj tij të miratohet nga Kuvendi.

Megjithatë, firmosja e detyrimit për tu paraqitur në policinë gjyqësore e drejtësisë së posaçme për ish- kryeministrin e dy mandateve Sali Berisha dhe mosfirmosja e procesverbalit nga ky i fundit është shndërruar në debatin me tone të larta të çdo tryeze mediatike dhe në sferën politike që nga e shtuna e 16 tetorit.

Ndërsa konstitucionalistët dhe ekspertët ligjorë ndajnë mendime të kundërta, nëse detyrimi për tu paraqitur në gjykatë i deputetit Sali Berisha ishte apo jo legjitim, pikërisht për shkak të mandatit të tij, Media Ditari është interesuar edhe për procedurën ligjore që organet e drejtësisë kanë ndjekur për të dhënë këtë masë sigurie.

Ekziston një “xhep” apo vakuum ligjor në dy nenet e njëpasnjëshme të kodit të procedurës penale, atë 288 dhe 289, që sipas juristëve kundërshton vetveten, duke qenë se i pari përjashton çdo formë të heqjes së lirisë, ndërsa i dyti i lë vend interpretimit nëse Detyrimi i paraqitjes është apo jo kufizues i lirisë.

Në pikën 1 të nenit 288 për autorizimin shkruhet:

1. Kur ndaj një deputeti duhet të caktohet masa e sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, heqja e lirisë në çfarëdo lloj forme, kontrolli personal ose i banesës, prokurori kërkon autorizim nga Kuvendi.

Ndërsa në nenin 289 thuhet:

  1. Mosdhënia e autorizimit, sipas nenit 288, të këtij Kodi, nuk e pengon prokurorin që të kërkojë një masë tjetër sigurimi, sipas nenit 244, dhe as të procedojë ndaj tij ose personave të tjerë, ndaj të cilëve zhvillohen hetime për të njëjtin fakt.

Si prokurorët e SPAK, ashtu edhe gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme, duke marrë parasysh nenin 289 dhe duke anashkaluar nenin 288, pika 1, kanë kërkuar paraqitjen e Berishës në GJKKO për të dëshmuar pas miratimin e Kuvendit.

Pra, kemi një përplasje mes Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale, që ka sjellë edhe një ngërç në vazhdimin e hetimit të privatizimit të kompleksit Partizani, ngërç që mesa duket do të jetë shumë i vështirë për t’u zgjidhur dhe mund të shkojë deri në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të vendosë nëse thirrja e Berishës për të dëshmuar është ose jo në kundërshtim me Kushtetutën.

Këtë të martë, ish- kryeministri Berisha, pas shpalljes publike që GJKKO bëri nga gjyqtarja Irena Gjoka, përcaktoi se ora vendimtare e tij për t’u njohur me masën e sigurisë ishte 14:00. Ai ka refuzuar të shkojë në gjykatë, mirëpo në ambientet e të posaçmes është paraqitur avokatët e tij, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi. Nuk dihet ende se çfarë do të vendosë gjykata lidhur me mungesën e tij të detyruar në seancë, ndaj kjo mbetet për tu parë.

Tre janë personat e vënë nën hetim për privatizimin e ish- Klubit Partizani, dhëndri i ish- kryeministrit, Jamarbër Malltezi, të cilin gjykata më 23 tetor e la në qeli, vetë ish- shefi i ekzekutivit për periudhën 2005- 2013, Sali Berisha dhe ndërtuesi i 17 kullave te ish- kompleksi, Fatmir Bektashi. Këtë të fundit, gjykata e la në Detyrim Paraqitje.

Akuzat që rëndojnë mbi ta janë: Për të parin, korrupsion i të funksionarëv të lartë dhe pastrim i parave, për të dytin, korrupsion dhe për të tretin njëlloj si me Jamarbër Malltezin.

Prokuroria e Posaçme zyrtarisht u shpreh se ka vendosur strukturat shtetërore në funksion të dhëndërit të tij.

“Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkretë, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij.”

Për Jamarbër Malltezin në njoftimin e datës 22 tetor thuhet se ai ka përfituar në mënyrë të paligjshme më shumë se 5.4 milionë euro.

“Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë shtetasi Jamarbër Malltezi në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” Sh.P.K., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 5.4 milionë euro.”