Investimet e mëdha në sektorin e mbrojtjes po rishkruajnë ekonominë europiane – por a mjaftojnë për ta nxjerrë kontinentin nga stagnimi?
Europës po i hapet një faqe e re: nga vite të tëra nëninvestimi në mbrojtje, drejt një vale të madhe financimesh për ushtrinë dhe teknologjinë ushtarake. Por përtej sigurisë, shumë zyrtarë dhe ekspertë shpresojnë që këto investime do të kthehen në nxitës të rritjes ekonomike, ashtu si dikur GPS-i, mikovalët apo kompjuteri personal që dolën nga laboratorët ushtarakë.
Të tilla “shpikje me përdorim të dyfishtë” janë zemra e asaj që njihet si “fuzioni ushtarako-civil”, një koncept që ka pasur sukses të jashtëzakonshëm në SHBA, por që Europa ende nuk e ka përvetësuar plotësisht.
Nga antiraketat te satelitët: ambiciet po rriten
Projekte madhore janë në ndërtim: mbrojtje antiraketore kontinentale, konstelacione satelitësh në orbitën e ulët si alternativë për Starlink-un gjithnjë e më të pasigurt të Elon Musk, si dhe teknologji të reja për luftë inteligjente.
Me Komisionin Europian që ka hapur portën për 800 miliardë euro në investime ushtarake, dhe Gjermaninë që ka paralajmëruar 1 trilion euro për modernizimin e ushtrisë së saj, ekspertët flasin për një mundësi të rrallë për të rritur produktivitetin dhe për të rigjallëruar industrinë.
Por jo të gjithë janë të bindur.
Komand AI dhe epoka e “robowars”
Një nga aktorët e rinj në këtë valë është Comand AI, një startup francez i krijuar pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Drejtori i saj, Loïc Mougeolle, thotë se platforma e tij me inteligjencë artificiale mund të bëjë që një oficer ushtarak të kryejë punën e katër vetëve — duke analizuar terrenin, përpunuar urdhra dhe krijuar plane veprimi në kohë reale.
Teknologjia, sipas tij, mund të ketë përdorim edhe në sektorin civil: nga menaxhimi i flotave të robotëve të shpërndarjes te mbrojtja kibernetike për bizneset.
Hapësira, R&D dhe rreziku i borxhit
Sipas profesorëve si Chris Miller (autor i Chip War) dhe Ethan Ilzetzki nga LSE, përvoja amerikane tregon se R&D ushtarake ka prodhuar shpikjet më të mëdha të shekullit XX. Një raport i Institutit Kiel vlerëson se çdo 1% e PBB-së e investuar në kërkim ushtarak mund të sjellë 0.25% rritje produktiviteti në afatgjatë.
Por përfitimet nuk janë automatike. Armatimet, ndryshe nga investimet në edukim apo infrastrukturë, nuk gjenerojnë gjithmonë produktivitet civil. Dhe me shumicën e investimeve të financuara me borxh, rreziku për pasojat afatgjata fiskale është i lartë.
Debati: mirëqenie apo mbrojtje?
Në vende si Britania, ku qeveria Laburiste po rrit buxhetin për mbrojtjen ndërkohë që shkurton ndihmat sociale, zërat kritikë janë shtuar. Ekonomistët paralajmërojnë se reduktimi i mbrojtjes sociale në emër të armatimeve mund të nxisë pakënaqësi dhe populizëm.
Megjithatë, analistë si Daniel Kral nga Oxford Economics thonë se shpenzimet ushtarake mund të veprojnë si katalizator për rritjen e kërkesës së brendshme dhe ta nxjerrin Europën nga stagnimi.
Në kërkim të vetë-mjaftueshmërisë
Për të përfituar maksimalisht, Europa duhet të zhvillojë vetë teknologjitë që zakonisht i blen nga SHBA. Më shumë se 50% e prokurimeve europiane përfundojnë në firmat amerikane, çka nxit thirrje si ajo e presidentit Macron për të përdorur sisteme europiane si Rafale apo SAMP/T.
Por vendet kufitare si Polonia apo Finlanda nuk duan të presin: ato kërkojnë zgjidhje të menjëhershme – qoftë edhe nga SHBA, Koreja e Jugut apo Izraeli.
Më shumë inovacion, më pak burokraci
Një nga sfidat kryesore, sipas studiuesve, është që fondet të mos përfundojnë vetëm në kompanitë e mëdha tradicionale, por të hapen edhe për startup-e inovative. Në SHBA, Departamenti i Mbrojtjes përdor tenderë me specifikime të hapura dhe “dual sourcing”, që nxit konkurrencën dhe përfshirjen e firmave të vogla dhe teknologjike.
Aktualisht, vetëm 4.5% e shpenzimeve ushtarake të Europës shkojnë për R&D, kundrejt 16% në SHBA – një hendek që duhet të ngushtohet për të ndërtuar një të ardhme më inovative.
Përkthyer dhe redaktuar nga Politico.com