A e kuptoi PD tani peshën e vërtetë të partive të vogla në koalicionin e saj?

Rezultati i zgjedhjeve të 11 Majit është treguesi i qartë se Partia Demokratike duhet të ndryshojë si nga brenda, ashtu edhe jashtë saj, në lidhje me koalicionet me partitë e tjera.

Këto parti që para zgjedhjeve deklarojnë se kanë mijëra vota dhe mund të nxjerrin vetë 1 mandat, mësuan peshën e tyre të vërtetë elektorale në 11 Maj, ku kandidatët në listat e hapura morën shumë më pak vota se pretendimet e tyre të mëdha.

Por, a do ta analizojë edhe PD këtë rezultat?

Le t’i marrim me radhë aleatët e Partisë Demokratike në këto zgjedhje, që vendosën kandidatët e tyre në listat e hapura e të mbyllura.

E nisim me Partinë e Lirisë, që mori 4 vende të sigurta, nga të cilat 2 në kryeqytet, në Tiranë ka në listë të hapur kryetarin e saj, Ilir Metën, i cili deri më tani ka marrë 7560 vota personale. Të pamjaftueshme për të nxjerrë një mandat.

E gjithë Partia e Lirisë ishte porositur të votonin masivisht Metën, por ky rezultat tregon qartë që kjo parti është drejt fundit, dhe nëse Meta do të vijojë të qëndrojë në burg, zgjedhjet e ardhshme vështirë se do të kenë sërish deputetë në Kuvend.

Fatmir Mediu i Partisë Republikane siguroi vendin e tij në listën e sigurt dhe vendosi një kandidat të ri në listën e hapur, Albi Jahelezin, i cili arriti të sigurojë 3566 vota personale. Një rezultat jo i keq për të personalisht, por që nxjerr zbuluar mbështetjen e paktë që Partia Republikane ka në Tiranë.

Shpëtim Idrizi i PDIU i siguroi mandatin Mesila Dodës dhe u vendos vetë në listën e hapur në kryeqytet, por ka marrë vetëm 1879 vota personale, një shifër e papërfillshme, teksa mbi vete sheh shumë kandidatë të tjerë të rinj e të vjetër që kanë marrë mijëra vota më shumë se ai. Kjo tregon qartë edhe peshën elektorale të PDIU-së.

Sali Shehu i Frymës së Re Demokratike, ka marrë 1395 vota, ndërkohë që në listë të hapur janë futur edhe shumë të rinj që vështirë se kanë ndonjë lidhje me Partinë Demokratike. Për të mos kaluar në qarqe, ku pesha elektorale e këtyre partive është akoma edhe më e vogël, thuajse e papërfillshme.

Ky rezultat duhet të jetë një sinjal i qartë për PD-në që nuk ia vlen të sakrifikohen në listë të hapur emra si Jorida Tabaku, Ilir Alimehmeti, Grigels Muçollari apo ndonjë tjetër për t’u dhënë vendin e  sigurt aleatëve që kanë fjalë të mëdha, por vepra të vogla.