Për kryeministrin Edi Rama, numri i mijëra qytetarë që kanë dalë në shesh kundër ndërtimit në Zbërnec është një modest.
Kështu u shpreh kreu i qeverisë shqiptare në një konferencë me gazetarët e BE, ku në fokus ishin protestat që po zhvillohen prej disa ditësh në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.
Më tej, Rama tha se protesta u provokua nga një akt dhune, nga një roje sigurie kundër një protestuesi.
“Dëgjoni, pikë së pari. Ky është një vend i lirë. Unë vetë kam qenë pjesëmarrës në protesta dhe e di mirë, e njoh shijen e momentit kur e ke të vështirë të protestosh, di dhe shijen e gjakut kur protesta ndodh në një mjedis jo të lirë. Në këtë bulevard, jo një shekull më parë por vetëm më pak se 20 vite më parë, apo më saktë në vitin 2011, katër protestues u vranë me armë sulmuese. I kishin vënë në shënjestër nga kjo ndërtesë. Për mua, është një epokë ndryshe, është një moment ndryshe në histori, dhe diçka shumë e mirë që njerëzit të protestojnë pa asnjë problem. Edhe pse mund të duket gjëja më e vogël, është një tjetër arritje e kësaj dekade. Një arritje që shqiptarët kanë luftuar për një kohë të gjatë. Kjo është e para.
Për këtë episod morëm masa më të ashpra dhe më të shpejta, roja është arrestuar, drejtori i policisë së Vlorës u shkarkua dhe njësia e policisë që ishte në terren, që nuk veproi për të ndaluar rojën, është vënë nën hetim. Kompanisë së sigurimit i është hequr licenca. Akti i dhunës ndezi ndjenjat, video u bë virale dhe çeli rrugën për më shumë ngritjen e pikëpyetjeve mbi pronën, projektin. Pastaj, befas çështja u bë më e gjerë dhe tashmë prek gjithçka, që është në rregull, por nuk jemi më në dinamikën e protestës së disa njerëzve. Edhe pse kam parë raportime për qindra mijëra vetë, që është tejet qesharake. S’dua të flas për numrat, që për mua janë modestë, por dua të flas për…
Protesta u shndërrua në protestë masive me refrenin “anuloni projektin”, u thashë; po, por më tregoni projektin.
Kjo s’ka të bëjë me mua, Shqipërinë, por me shoqërinë demokratike për të reflektuar se si gjysma të vërteta mund të bëhen gënjeshtra më të mëdha dhe të ndezin mjedisin që është mjedisi në mbarë platformën. Nuk qëndrojmë më te thelbi, por diku gjetkë”- u shpreh Rama.
Ndërkohë kreu i qeverisë ka ndërprerë edhe një prej gazetareve, e cila nisi ti thoshte Ramës se kishte intervistuar disa qytetarë në rrugë per ti pyetur per projektin, por ai e ndërpreu duke i thënë se nuk i interesonte kjo pjesë.
-Dje intervistova disa njerëz në rrugë…
Edi Rama: Po më bëni pyetje mua, po kërkoni të dini se çfarë mendoj. Ajo që keni bërë në rrugë nuk është me interes për mua, po më pyesni mua. Unë nuk jam në rrugë, nuk jam dikush që nuk mban përgjegjësi kur flet sepse unë përfaqësoj këtë vend. Unë përfaqësoj njerëz që më kanë zgjedhur të jem këtu dhe përballë jush më duhet të jem i vërtetë, të jap fakte dhe nuk mund të sfidohem me çfarë keni dëgjuar ju në rrugë. A keni fakte për të më treguar që vërtetojnë se po them diçka që nuk është e drejtë? Jo. Më tregoni, më sfidoni.