Resorti luksoz i Bashkim Ulajt, banorët e Rrjollit denoncojnë rrethimin me tela me gjemba të zonës: Po na nëpërkëmbin dinjitetin

Është tensionuar sërish situata në Rrjoll, ku pritet të ndërtohet një resort luksoz, teksa banorët po protestojnë prej disa muajsh në mbrojtje të tokave të tyre.

Zona ku parashikohet të ndërohet resorti është rrethuar me tela me gjemba, sipas denoncimit të banorëve të zonës.

Këta të fundit kanë reaguar në rrjete sociale, ku duken edhe pamjet e rrethimit ndërsa kanë deklaruar se do të vijojnë të protestojnë sërish:

“Po na mbyllin tokat”- janë shprehur ata, të cilët kudnërshtojnë ndërtimin e resortit në tokat e tyre. Për të kundërshtuar këtë zhvillim të papritur, ata kanë njoftuar protestë kombëtare të shtunën, 13 qershor në orën 11:00 në Rrjoll.

Banorët kanë protestuar në vendin ku do të ndërtohet resorti, ndërsa më herët, ata kanë pasur përplasje të ashpra me policinë, dhe me rojet private të “Breçani Security” të punësuar nga biznesmeni Bashkim Ulaj më qëllim për të ruajtur kantierin.

Ata po ashtu kanë protestuar para Kuvendit dhe SPAK, ndërsa janë shprehur se janë braktisur nga shteti.