Protestat masive detyrojnë qeverinë bullgare të tërheqë projektbuxhetin që parashikonte rritje taksash

Qeveria e Bullgarisë njoftoi të martën se ka tërhequr projektbuxhetin e ri, i cili kishte shkaktuar protesta të mëdha në të gjithë vendin dhe përplasje të dhunshme mes policisë dhe qytetarëve.

Drafti parashikonte rritje taksash, shtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe rritje të shpenzimeve publike, masa që, sipas opozitës dhe bizneseve, do të dëmtonin investimet dhe do të rritnin ekonominë informale në një kohë kur vendi po përgatitet të anëtarësohet në eurozonë në fillim të vitit të ardhshëm.

Qeveria fillimisht premtoi se projektbuxheti do të shqyrtohej nga e para pas protestave të javës së kaluar, por më pas refuzoi ta tërhiqte, gjë që ndezi pakënaqësinë dhe çoi në tubime të mëdha në Sofje dhe qytete të tjera të hënën në mbrëmje. Sipas organizatorëve, vetëm në kryeqytet protestës iu bashkuan rreth 50 mijë persona.

Tubimi në Sofje, i dominuar kryesisht nga të rinjtë, fillimisht u zhvillua i qetë. Demonstruesit kërcenin dhe brohorisnin slogane si: “Nuk do të lejojmë të mashtrohemi”, “Nuk do të lejojmë të grabitemi” dhe kërkonin dorëheqjen e qeverisë ose rishikimin e menjëhershëm të projektbuxhetit. Para Parlamentit u shfaqën pankarta me mbishkrime si “Generation Z is Coming” dhe “Bullgaria e Re Pa Mafian”.

Organizatorët u bënë thirrje protestuesve të ruanin qetësinë dhe të filmonin çdo provokim të mundshëm. Megjithatë, tensionet u rritën më vonë kur grupe të vogla protestuesish u drejtuan drejt zyrave të partive në pushtet dhe hodhën shishe plastike e qelqi, fishekzjarre dhe gurë drejt ndërtesave dhe policisë.

Pati përplasje mes forcave të rendit dhe të rinjve të veshur me kapuçë të zinj dhe maska. U dogjën kontenierë mbeturinash dhe u dëmtuan mjete policie, ndërsa policia përdori sprej djegës për të shpërndarë turmën.

Shërbimet e emergjencës njoftuan se disa persona të plagosur u dërguan në spital, ndërsa të tjerëve u është dhënë ndihmë mjekësore në vendngjarje. Policia raportoi se 10 persona janë shoqëruar.