Në Shqipëri është ndezur një debat i fortë publik dhe politik pas propozimit të një projektligji të ri për barazinë gjinore, i cili synon të zgjerojë përkufizimin e gjinisë përtej burrit dhe gruas.
Projektligji përfshinte termin “gjini gjithëpërfshirëse”, duke njohur edhe identitete gjinore të tjera, gjë që ka shkaktuar reagime të forta nga komunitetet fetare, disa parti politike dhe një pjesë e opinionit publik.
Kjo nismë shihej si rrezik për familjen tradicionale, ndërsa organizatat që mbrojnë të drejtat e komunitetit LGBTI e konsiderojnë projektligjin një hap përpara drejt barazisë dhe përfshirjes.
Por, duket se tashmë Partia Socialiste është tërhequr nga ky projektligj, pasi ka dorëzuar në Kuvend amendamentet për projektligjin për Barazinë Gjinore, ku specifikohen vetëm dy gjini, burrë dhe grua.
Kundërshtitë e pjesës dërrmuese të qytetarëve duket se janë marrë parasysh nga mazhoranca, që tashmë ka vendosur që gjinitë të jenë burrë dhe grua, si dhe termat “nënë” dhe “baba” të mos zëvendësohen me “prindi 1” dhe prindi 2”.


