Presidenti Bajram Begaj nuk tërhiqet për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës, edhe pse Gjykata Kushtetuese pezulloi dekretin e tij si anti-kushtetues.
Në një shkresë drejtuar Kushtetueses ditën e sotme, Begaj i kërkon kësaj Gjykate që të rrëzojë ankimimin e Erion Veliajt për shkarkimin e tij dhe të urdhërojë KQZ-në për të përgatitur zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës.
Pra, Presidenti Begaj i tregon gjyqtarëve kushtetues se çfarë vendimi duhet të marrin, në një kohë kur po këta gjyqtarë kanë vendosur se Presidenti ka shkelur Kushtetutën me dekretin e firmosur për zgjedhjet në Tiranë.
Pjesë nga shkresa e Begajt drejtuar Gjykatës Kushtetuese
Institucioni i Presidentit të Republikës, në cilësinë e palës së interesuar, i kërkon Gjykatës Kushtetuese:
Të deklarojë në fillim të seancës së shqyrtimit të datës 31.10.2025 moskompetencën lidhur me dekretin nr. 350, datë 1.10.2025;
Të vendosë në fillim të seancës së shqyrtimit të datës 31.10.2025 heqjen e pezullimit për dekretin nr. 350, datë 1.10.2025;
Të vendosë në përfundim të seancës rrëzimin e kërkesës së Kryetarit të shkarkuar të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, si të pabazuar në nenin 115 të Kushtetutës;
Për shkak se pezullimi ka pamundësuar zhvillimin e zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë në datën e dekretuar nga Presidenti i Republikës, të urdhërojë në përfundim të seancës KQZ-në për përgatitjen e zgjedhjeve për këtë bashki në datën që do të përcaktojë Gjykata Kushtetuese, datë e cila nuk duhet të jetë më e hershme se 30 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në vlerësimin tonë si palë e interesuar, vetëm një procedim i tillë mund të rikthejë kushtetutshmërinë e këtij procesi ankimi, të cenuar në mënyrë arbitrare nga vetë Gjykata Kushtetuese.