Marrëveshja e armëpushimit në Gaza, Trump në Parlamentin izraelit: Një ditë gëzimi dhe shprese të madhe

“Një ditë gëzimi dhe shprese të madhe”. Kështu e ka konsideruar presidenti amerikan, Donald Trump pas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga SHBA për armëpushim dhe lirimin e pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit, një marrëveshje që synon t’i japë fund luftës së nisur pas sulmit të 7 tetorit 2023 nga militantët e udhëhequr nga Hamasi.

Gjatë fjalës së tij në Parlamentin izraelit, Trump tha se pas dy vitesh të tmerrshme në errësirë dhe robëri, 20 pengje të guximshme po kthehen në përqafimin e lavdishëm të familjeve të tyre.

“Vend i bukur, vend vërtet i bukur. Ne mblidhemi në një ditë gëzimi të thellë dhe shprese në rritje”, u shpreh Trump.

“Pas dy vitesh të tmerrshme në errësirë dhe robëri, 20 pengje të guximshme po kthehen në përqafimin e lavdishëm të familjeve të tyre. 28 të dashur të tjerë të çmuar po kthehen më në fund në shtëpi për t’u prehur në këtë tokë të shenjtë përgjithmonë”, shton më tej presidenti amerikan.

Ndërkohë kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, në fjalën e tij në Parlament, e konsideroi Presidentin amerikan Donald Trump si mikun më të madh të Izraelit.

“Emri juaj do mbetet i shkruar në historinë e Izraelit. Asnjë President amerikan nuk ka bërë më shumë për ne”.

Ai e nominoi atë për “Çmimin e Izraelit”, vlerësimi më i lartë i këtij shteti.

“Dua që të marrësh Çmimin e Izraelit, çmimin tonë më të lartë për mikun tonë më të madh. Kur të tjerët ishin të dobët, ju ishit të fortë. Kur të tjerët ishin të frikësuar, ju ishit të guximshëm. Kur të tjerët na braktisën, ju qëndruat në krahun tonë.

Në emër të qeverisë dhe popullit të Izraelit, ju falenderoj për miqësinë tuaj të jashtëzakonshme, ju falenderoj që na ndihmuat të sjellim pengjet tona në shtëpi, ju falenderoj që mbështetët marshimin e Izraelit drejt fitores dhe ju falenderoj që hapët një rrugë drejt paqes“- u shpreh ai.