Kryeministri Edi Rama dhe presidentja e Komisionit Europian, ursula Von der Leyen, kanë zhvilluar një konferencë të përbashkët, ku kanë folur mbi progresin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Kreu i qeverisë shqiptare ka shprehur edhe njëherë angazhimin që Shqipëria t’i mbyllë kapitujt me BE-në deri ën vitin 2027, teksa shtoi se Shqipëria do të vijojë të bëjë detyrat për t’u anëtarësuar sa më shpejt në BE.
“Pritshmëria është pikërisht kjo: që deri në fund të vitit 2027 të mbyllen kapitujt. Dhe për ta arritur këtë, ne duhet të bëjmë të gjitha detyrat tona, të cilat janë të qarta, kapitull për kapitull, dhe gjithashtu të përfshira në Planin e Rritjes.
Vlerësimi pozitiv që marrim sot është rezultat i detyrave të kryera deri më tani. Por, që të vazhdojmë të marrim vlerësime të tilla, duhet të vazhdojmë të bëjmë detyrat që kemi përpara. Dhe këto detyra nuk i bëjmë për t’i kënaqur institucionet e Bashkimit Evropian, as për t’u bërë të pranueshëm nga vendet që nesër do të vendosin për anëtarësimin tonë, qoftë në Paris, Berlin… do thoja edhe Londër, por Londra ka ikur në drejtim të paditur… apo në Romë.
Ne i bëjmë detyrat për veten tonë. Çdo detyrë që përmbushet me sukses këtu, e bën Shqipërinë më të fortë dhe më funksionale si shtet. Për ne, procesi i negociatave, i hapjes dhe mbylljes së kapitujve, është një proces ndërtimi shteti demokratik. Kur Bashkimi Evropian të na thotë ‘kemi përfunduar’, kjo do të thotë se Shqipëria ka marrë një certifikatë që, sipas Komisionit Evropian, është një shtet funksional dhe demokratik.
Kjo është për shqiptarët, në radhë të parë. Pastaj, po, mund të anëtarësohemi në BE, dhe procesi i përmirësimit vazhdon. Edhe gjermanët, që për dekada janë konsideruar si modeli i përsosmërisë, nuk janë aq të përsosur sa i mendonim dhe sot po e kuptojnë edhe vetë”, tha Rama.
Ndërsa për Presidenten e KE-së, Shqipëria është në rrugën e duhur drejt Bashkimit Europian, por ka ende punë për të bërë e për të përmbushur të gjitha detyrat.
“Kënaqësi të rikthehem sërish në Shqipëri dhe ta nis turin tim këtu, në Tiranë. Shqipëria është në rrugën e duhur drejt Bashkimit Evropian. Ju keni bërë një rrugë të gjatë dhe keni arritur një progres domethënës. Dua të theksoj se ky është një progres i jashtëzakonshëm, me një shpejtësi rekord dhe përshpejtim të vërtetë gjatë tre viteve të fundit.
Pesë nga gjashtë kapitujt janë hapur, dhe kapitulli i fundit do të hapet këtë vjeshtë. E njoh përpjekjen tuaj personale dhe të ekipit tuaj në këtë udhëtim. Qëllimi ynë i përbashkët është mbyllja e negociatave deri në vitin 2027. Na pëlqen ambicia juaj dhe ne jemi të gatshëm të qëndrojmë me ju në çdo hap”, u shpreh ajo.