Kryebashkiaku i Rrogozhinës Edison Memolla punëson të gjithë fisin në bashki, disa prej tyre nuk shkojnë fare në punë

Kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla rezulton se ka punësuar në institucionin që ai drejton familjarët e tij, duke iu siguruar pozicione të rëndësishme.

Rasti është denoncuar nga emisioni Piranjat, ku në postin e këshilltares është emëruar vajza e xhaxhait, Erinda Memolla ndërsa burri i kësaj të fundit, Andi Proshka është emëruar nënkrytar bashkie.

Ndërkohë, postin e besueshëm të sekretares dhe përgjegjëses së protokollit e zotëron Xhulia Kalemi, e cila është kushërira e kryetarit. Ndërsa vëllait të saj, Renato Kalemi, i është besuar pozicioni i punonjësit të shërbimeve.

Por nuk mbaron këto, pasi Memolla ka menduar të punësojë edhe familjarë të tjerë të tij, duke e kthyer Bashkinë e Rrogozhinës si biznesin e tij.

Në postin e magazinierit të Drejtorisë së Shërbimeve është Mariglen Memolla, djali i xhaxhait të kryetarit. Ndërsa kushëririt të dytë, Gëzim Memollës, i është besuar pozicioni i skrepistit. Postin e drejtorit të Arsimit, Sportit dhe Kulturës ia ka dhuruar Orges Toskut, kunatit të xhaxhait.

Në pozicionin e drejtorit të financës është vendosur Rezart Vogli, i cili bie kushëri me kryetarin. Ndërsa bashkëshortja e tij, Raimonda Vogli, është përgjegjëse në qendrën kulturore të bashkisë. Blerina Methasani Memolla, bashkëshortja e djalit të xhaxhait të kryetarit, është caktuar në pozicionin e përgjegjëses së financës.

Fadil Halitin, djalin e hallës, e ka bërë shofer.

Pra Edison Memolla ka punësuar të gjithë fisin e tij në bashkinë që drejton. Por problemi tjetër është se shumë prej këtyre punonjësve nuk shkojnë fare në punë.

Kujtojmë se ndaj Memollës ka pasur edhe më herët akuza lidhur me punësimet në Bashki. Në 2023-in, Edison Memolla u paraqit në SPAK ku u pyet nga prokurorët e posaçëm pas akuzave se ka punësuar në Bashki dhe paguan si punonjës, disa qytetarë që në fakt ndodhen jashtë vendit.