Një tjetër incident është regjistruar gjatë orëve të fundit në një tjetër gjykatë të vendit.
Policia njofton se ka nisur procedimi në gjendje të lirë ndaj një 75 vjeçari, pasi ky i fundit ka kanosur dhe fyer kryesekretaren e Gjykatës së Fierit. Ngjarja u regjistrua për shkak të shtyrjes se një seance gjyqësore.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. H., 75 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se për shkak të shtyrjes së një seance gjyqësore, ka kanosur dhe fyer Kryesekretaren e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier”– njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
Kujtojmë se një tjetër incident u regjistrua dje në Gjykatën e Vlorës, ku avokati Redi Llani dhunoi me grusht punonjësin e sigurisë të këtij institucioni, duke i shkaktuar dëmtime në fytyrë.
Avokati kishte kërkuar që të futej në gjykatë duke thënë se e kishin thirrur. Por roja i është përgjigjur duke i thënë që nuk kishte dijeni apo të ishte informuar që avokati të ishte thirrur në gjykatë. Pasi punonjësi i sigurisë nuk e lejoi të futej brenda gjykatës, avokati e ka dhunuar 60 vjeçarin.
Ndërkohë pak ditë më parë një ngjarje e rëndë tronditi opinion publik, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit në Tiranë nga 30-vjeçari Elvis Shkambi, pasi xhaxhai i tij humbi gjyqin për pronën.