Drejtuesja e BKH-së, Aida Hajnaj lirohet nga detyra

Këtë të hënë ka përfunduar zyrtarisht mandati 5 vjeçar i Aida Hajnajt në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH-së).

Ndërkohë po sot, Këshilli i Lartë i Prokurorisë me 6 vota pro dhe katër kundër ka liruar nga detyra Hajnajn. Sipas shumicës së anëtarëve të KLP-së, mandati i Hajnajt ka përfunduar më 31 gusht, çka solli edhe vendimin për lirimin e saj nga detyra.

Por 4 anëtarë të KLP-së argumentuan se mandati i saj nuk ka përfunduar një ditë më parë, por në muajin shtator.

Kujtojmë se në maj të këtij viti, SPAK hapi zyrtarisht garën për drejtuesin e ri të BKH-së. Pak ditë më parë, u mblodh Komisioni i Pastërtisë së Figurës dhe Pasurisë për garën për drejtorin e ri.

Komisioni përbëhet nga dy prokurorët e SPAK Behar Dibra dhe Eneid Nakuçi, kryetarja e Apelit të GJKKO-së Saida Dollani dhe dy agjentë të BKH-së.

Fillimisht në garë për të marrë drejtimin e BKH-së ishin 13 kandidatë, por 6 prej tyre u skualifikuan pasi kishin mangësi në dokumentacionin e tyre.

Aktualisht në garë për këtë institucion, i njohur ndryshe si “FBI-ja shqiptare”, janë: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta.

Sipas rregullores, ndiqen 6 hapa për emërimin e kreut të BKH-së, të cilat janë: verifikimi i aplikimit, vizita mjekësore dhe testi për aftësitë fizike, ese me shkrim dhe test për arsyetim logjik, testi i poligrafit dhe intervista në panel, verifikimi i figurës dhe pasurisë, identifikimi i kandidatit fitues, trajnimi dhe emërimi.

Tek pika e fundit parashikohet edhe përzgjedhja e katër kandidatëve më potencialë, që i dërgohen drejtuesit të SPAK. Altin Dumani do të bëjë përzgjedhjen përfundimtare dhe emri i kandidatit të përzgjedhur i paraqitet Këshillit të Lartë të Prokurorisë për miratimin e mandatit 5-vjeçar.