Zjarret shkrumbojnë fshat pas fshati në Gramsh, dhjetëra bagëti të ngordhura, nis groposja e tyre

Situata vijon të jetë kritike në njësinë administrative Skënderbegas në Gramsh, ku zjarret kanë kaluar nga një fshat në tjetrin, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe rrezik serioz për jetën e banorëve.

Sipas autoriteteve, deri më tani janë shkrumbuar 39 banesa, janë djegur sipërfaqe të gjera me pyje dhe shkurre, ndërsa dhjetëra bagëti kanë ngordhur pasi u rrethuan nga flakët.

350 forca në terren dhe helikopterë nga ajri janë angazhuar për të vënë nën kontroll flakët, por zjarret vijojnë të përhapen me shpejtësi për shkak të erës dhe temperaturave të larta.

Ekipet e Ministrisë së Bujqësisë kanë nisur groposjen e kafshëve të djegura për të shmangur përhapjen e ndonjë epidemie. Edhe pse vendi ndodhet në emergjencë zjarresh, kjo ndërhyrje është vlerësuar si urgjente nga ekspertët.

Evakuimi i banorëve ka nisur, por në shumë raste zjarrfikësit janë përballur me rezistencë. Shumë qytetarë refuzojnë të largohen, duke u përpjekur të mbrojnë vetë shtëpitë e tyre. Në disa raste, janë larguar me forcë nga forcat e sigurisë, për të shmangur tragjedi më të mëdha.