Në 80 vjetorin e Çlirimit të vendit, krerët më të lartë të shtetit bënë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve.
Të pranishëm kanë qenë Presidenti i vendit Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj si dhe zyrtarë të tjerë vendorë. Krerët e shtetit vendosën lule në Monumentin “Nëna Shqipëri” për të nderuar sakrificën e dëshmorëve të atdheut.
Shqipëria përkujton sot më 29 Nëntor, 80-vjetorin e Çlirimit nga forcat fashiste italiane e gjermane. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ushtria Nacional Çlirimtare e Shqipërisë zhvilloi kryengritje të armatosur kundër okupimit të Shqipërisë.
Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në territorin e saj hynë forcat gjermane.
Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej të çlirohej qyteti i Shkodrës dhe qarku i tij. Shkodra u çlirua më 29 nëntor të vitit 1944, datë kjo e cila shënon ditën e çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi gjerman.