Teksa Ervin Salianji pritet që të vetëdorëzohet në Polici, pas dënimit të tij me 1 vit burg, në selinë blu po mendohet që deputetet e PD të ngujohen për 24 orë. Ka qenë një propozim nga kreu i grupit, Gazment Bardhi, i cili i ka kërkuar Salianjit që të mos dorëzohet vullnetarisht.
Gazment Bardhi ka propozuar që grupi parlamentar i PD të ngujohet për 24 orë pa ndërprerje dhe pa afat në selinë blu.
Ai ka kërkuar që të mos pranohet vendimi i Apelit të cilin e ka konsideruar të padrejtë.
“Mos pranimin e padrejtësisë, grupi parlamentar t’i kërkojë Ervin Salianjit të mos ekzekutojë vendimin politik të Edi Ramës. Grupi Parlamentar të ngujohet 24 orë pa ndërprerje, pa afat, në selinë e Partisë Demokratike”, mësohet të ketë thënë ai.
Ervin Salianji në një konferencë për mediat, e quajti politik arrestimin e tij, ndërsa u bëri thirrje mbështetësve t’i bashkohen protestës kombëtare të thirrur nga Partia Demokratike më 6 Tetor.