Salianji i gatshëm të dorëzohet vetë në Polici, nuk kursen batutat me gazetarët: Do ju flas nga dritarja e burgut

Në konferencën e fundit për shtyp para arrestimit të tij, deputeti Ervin Salianji premtoi se nga burgu do të vazhdonte fushtatën elektorale, teksa ai ishte zgjedhur si drejtues politik në qarkun e Elbasanit.

Ai u premtoi gazetarëve se do të komunikonte me ta përmes të gjitha formave të komunikimit. Por nuk munguan edhe shakatë me gazetarët, ku tha se do të komunikojë me ta nga dritarja e burgut. Ndërkohë i pyetur nëse i qëndronte vendimit për t’u dorëzuar vetë në polici, Salianji tha se do të përballet dhe ka komunikuar me drejtuesin e Prokurorisë dhe drejtuesit të Policisë së Shtetit për t’i informuar se është në dispozicion. 

“Do u them mediave hajdeni te dritarja e burgut. Përtej shakave unë mendoj se ka mjete komunikimi. Lejohen letrat nga burgu, pra do shkruaj do gjej forma komunikimi. Pavarësisht se izolimin tim e kanë bërë edhe për arsye tjetër.

Nuk është kjo forma ime e parapëlqyer e komunikimit, nëpërmjet rrjeteve, letrave apo televizionit. Në fushata unë preferoj të takoj qytetarët dhe të jem kudo, në çdo moment me orë të gjata duke i kufizuar në 2-3 orë periudhën e gjumit. Nuk është e njëjta situatë tani, por ky dënim politik, ka motivuar shumë më shumë njerëz këtë e shikoj nga reagimet dhe dua ti shpreh mirënjohjen mijërave qytetarë që më kanë shkruar. Ata do motivohen nga kjo dhe do ketë një tjetër reagim. Ju e dini se regjimet totaliare kur janë në fundin e tyre bëjnë veprime të pa imagjinueshme njësoj si ky”,- tha deputeti demokrat.