Salianji para arrestimit: Kjo është dita ime e fundit në liri, por i kam mbledhur provat për dosjen në SPAK

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka dalë në një konferencë për mediat, një ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit që e dënoi me 1 vit burg, ndërsa pritet që ditën e sotme të arrestohet.

Ndër të tjera Salianji u shpreh se urdhrin e dha ish-ministri Fatmir Xhafaj dhe se ai është i dënuar politik, ndërsa tha se ka mbledhur të gjitha provat për t’i depozituar në SPAK edhe pse është dita e fundit e tij në liri. Ai u shpreh se fokusi sot duhet të jetë te kapja e drejtësisë, deri te dhënia fund e nënshtrimit të institucioneve të pavarura.

“Kam bërë kërkesë në SPAK për hetim pasuror për Fatmir Xhafajn. Agron Xhafaj ka bërë trafik ndërkombëtar droge. Agron Xhafaj është dënuar për pjesëmarrje në grup kriminal. Janë të gjithë nëpër Sky. Gjyqtari Artan Gjermeni ka dalë në përgjimet e Sky. Të gjitha faktet do të dalin dhe do i vërtetoj edhe nga burgu. Duhet të bëhet hetim pasuror për Fatmir Xhafajn”, deklaroi Salianji.

Ndërsa i pyetur nese ka pasur kontakt me Lulzim Bashën, Ervin Salianji tha se të gjithë kanë shprehur solidaritet, pavarësisht qëndrimeve.

“Edhe deputetë që nuk janë zyrtarisht në PD kanë mbajtur qëndrim. Nuk kam parë njeri përveç këtej që nuk do komentonte vendimet e gjykatave, por kur i intereson i komenton”, tha Salianji.