Salianji drejt burgut, mbërrin në Kuvend shkresa e Prokurorisë për dënimin me 1 vit burg për deputetin

Ka mbërritur në Kuvend shkresa e Prokurorisë mbi vendimin e Gjykatës së Apelit në lidhje me dënimin me 1 vit burg të deputetit Ervin Salianji. Tashmë pritet që Kuvendi të vihet në lëvizje për të nisur procedurat mbi ndërprerjen e mandatit të deputetit.

Më herët deputetët e PD kërkuan të mblidhet Këshilli i Mandateve, por Kushtetuta e ka të parashikuar si veprohet me vendimet e formës së prerë. Në rast se një ligjvënës dënohet me një vendim të formës së prerë, si në rastin e Salianjit, ai e humb mandatin e deputetit.

Deputeti demokrat në një reagim vetëm para pak orësh tha se vendimi për burgosjen e tij ishte një vendim politik, që u mor për shkak të denoncimeve që ai i bëri pushtetit të kryeministrit.