Qëlluan për vdekje 41 vjeçarin një vit më parë në Fier, arrestohet njëri prej vëllezërve vrasës

Është arrestuar një nga autorët e dyshuar e vrasjes së 41-vjeçarit Elton Javori rreth një vit më parë në mes të ditës në qytetin e Fierit.

Mësohet se në pranga ka rënë shtetasi Kreshnik Gashi, ndërsa vëllai i tij, Agim Gashi është ende në kërkim nga policia. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në vitin 2023, ku dy vëllezërit e dyshuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vrarë 41-vjeçarin. Viktima sapo kishte dalë nga banesa e tij në lagjen 16 Prilli kur u qëllua me armë zjarri në qafë. Ai u dërgua në spital, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve. 41 vjeçari dhe njëri prej vëllezërve që është ende në arrati kanë qenë miq por për shkak të rrethanave ende të paqarta marrëdhënia e tyre është krisur. Ata kanë pasur një konflikt rreth dy vite para ngjarjes.. Pas rikthimit të Javorit nga Gjermania, kanë pasur një tjetër debat mes tyre.

Viktima nuk kishte precedent të mëparshëm ndërsa Agim Gashi kishte patur probleme me drejtësinë.

“DVP Fier/ Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest me burg”, për  shtetasin Kreshnik Gashi, të dyshuar për vrasje.

Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda i DVP Fier ka ekzekutuar masën e sigurisë të caktuar nga Gjykata e Fierit për veprat penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, për shtetasin K. G., 33 vjeç, banues në Fier.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi në vitin 2023, në bashkëpunim me vëllain e tij, shtetasin Agim Gashi, (aktualisht person në kërkim), dyshohet se kanë vrarë për motive të dobëta shtetasin Elton Javori.

Vijon puna për kapjen e shtetasit A. G.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.