VIDEO/ Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi paraqitet në SPAK

Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi, është paraqitur paraditen e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Ende nuk dihet arsyeja e thirrjes së tij nga prokurorët e posaçëm, por dyshohet se ai do të përgjigjet pyetjeve për aferën e inceneratorëve, hetimet e të cilës po shkojnë drejt fundit.

Dy ditë më parë në SPAK u pyet edhe zv.kryeministrja Belinda Balluku, ndërkohë që deri më tani i vetmi që nuk është thirrur është kryeministri Edi Rama.

Ëngjëll Agaçi është akuzuar nga opozita si “truri” i inceneratorëve, i cili është marrë me të gjitha dokumentacionet e kësaj afere. Emri i tij u përmend edhe në reportrazhin e televizionit italian RAI, ku Agaçi cilësohej si avokati i bosëve të mafias italiane.

Për Agaçin thuhej se ishte “kumbari” i marrëveshjes së emigrantëve mes Shqipërisë dhe Italisë, teksa akuzohej edhe si sekseri mes ish-gjeneralit të Guardia di Finanzias, Fabrizio Lisit dhe trafikantit Artur Shehu, pasi ky i fundit i dhuroi gjeneralit 30 mijë metër katrorë tokë në Vlorë.