Gjykata e Posaçme ka lënë në burg kreun në detyrë të bashkisë Himarë, Jorgo Goro, i akuzuar për tjetërsim pronash.
Ndërkohë ka ndryshuar masën e sigurisë për ish- kreun e Kadastrës Bilbil Aliaj, nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje”.
Në seancën e mbajtur sot, Bilbilaj i akuzuar për “shpërdorim detyre” tha se nuk ka patur njohje me investitorin Artan Gaçi, apo me persona të tjerë të lidhur me të.
“Nuk kam patur asnjë kontakt apo njohje me investitorin Artan Gaçi, apo me persona të tjerë të lidhur me të. Nuk kam patur sugjerime, udhëzime apo ndërhyrje lidhur me këtë çështje përfshirë dhe Jorgo Goron. Më ka ardhur një praktikë si titullar, e përpiluar nga punonjësit përkatës, siç ndodh zakonisht ku janë ekspertët dhe stafi përpilues, të cilën e kam firmosur si titullar”, u shpreh ai.
Ndërsa për jursitin Vezir Gjikokën, edhe ky i akuzuar për “shpërdorim detyre”, u la në fuqi masa e “arrestit në shtëpi”.
Ndërkohë për këtë çështje vijon të jetë në kërkim Stavri Mëhilli, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave, ose i formularëve”, më shumë se një herë dhe Jerasimo Bashi, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, Bashkia Himarë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Jorgo Goro akuzohet nga Prokuroria e Posaçme se ka shpërdoruar detyrën , duke tjetërsuar dy prona në Dhërmi, me një sipërfaqe në total prej 10592 m2, të cilat më pas iu shitën për investim strategjik Artan Gaçi, ish-deputet i PS dhe njëkohësisht bashkëshorti i ish-ministres Olta Xhaçka.