Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kërkuar nga institucionet informacion mbi udhëtimet me charter të Kryeministrit Edi Rama dhe kostot e tyre, që prej ardhjes së tij në pushtet.
Në kërkesën zyrtare, Bardhi kërkon listën e udhëtimeve të Kryeministrit Rama jashtë vendit nga 15 shtator 2013 deri në 1 mars 2024, si dhe kostot për secilin udhëtim dhe totalin për periudhën e përmendur.
Po ashtu, ai kërkon kopjen e marrëveshjes me “Air Albania” shpk, përfshirë listën e udhëtimeve dhe kostot e tyre në kuadër të kësaj marrëveshjeje. Ligjërisht, institucionet janë të detyruara të japin këto informacione brenda 15 ditësh.
Dy vite më parë mediat dhe opozita kanë ngritur akuza për shpenzime të larta, me disa fluturime të charter që kanë kushtuar rreth 22 milion euro.
Megjithatë, Kryeministri ka mbrojtur këto shpenzime duke argumentuar se avioni charter është përdorur për promovim, duke u bazuar në marrëveshjen me kompaninë.
