EMRI/ Arrestohet efektivi i Operacionales, i përfshirë në trafikun e kokainës në Tiranë, zbardhet roli i tij

Një punonjës policie, i përfshirë në trafik droge është arrestuar në orët e fundit nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Në pranga ka rënë efektivi i Operacionales Ervis Shkurta, pas hetimeve që nisën një ditë më parë pas sekuestrimit të 1 kg kokainë në kryeqytet, që çoi në pranga tre persona, Eneo Sulejmanaj, Shkëlqim Ostreni dhe Igli Begaj.

Këta të fundit, përplasën me makinë 3 agjentët e antidrogës dhe njëri prej tyre u kundërgjigj me armë. Për pasojë mbeti i plagosur Eneo Sulejmanaj.

Shkurta akuzohet për veprën penale “Prodhimi e shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.

Sipas AMP-së, efektivi kishte lidhje të ngushtë shoqërore me njërin prej personave të arrestuar, ka qenë pjesë aktive e sigurimit të kushteve për tregtimin e lëndës narkotike prej 1 kg e dyshuar kokainë, si dhe ka patur dijeni të plotë për personat dhe vendin ku do ndodhte shkëmbimi i lëndës narkotike.

“Një punonjës policie, efektiv në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është arrestuar i dyshuar për veprën penale “Prodhimi e shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka ndaluar punonjësin e policisë Inspektor E. SH., 38 vjeç, efektiv në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i dyshuar për veprën penale “Prodhimi e shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.

Ndalimi i këtij punonjësi policie u krye në vijim të hetimeve me metoda speciale, në funksion të ngjarjes së datës 21.03.2024, ku u arrestuan në flagrancë tre shtetas, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Mosbindja ndaj punonjësve të policisë”.

Si rezultat i hetimeve intensive u bë e mundur sigurimi i provave dhe i fakteve mbi dyshimet se punonjësi i policisë, Inspektor E. SH., me lidhje të ngushtë shoqërore me njërin prej personave të arrestuar, ka qenë pjesë aktive e sigurimit të kushteve për tregtimin e lëndës narkotike prej 1 Kg e dyshuar kokainë, si dhe ka patur dijeni të plotë për personat dhe vendin ku do ndodhte shkëmbimi i lëndës narkotike.

 Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet e përkushtuar në përmbushje të misionit të saj për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje”- njofton AMP.