Çfarë e mërziti ministren? Gazment Bardhi i kërkoi “llogari” për portin e Durrësit, Belinda Balluku ikën nga Kuvendi

Për herë të parë që nga tetori i vitit të kaluar, Kuvendi iu rikthye normalitetit teksa deputetët kanë vijuar me diskutimet por edhe me akuzat.

Lidhur me këto të fundit, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, nga Foltorja e Kuvendit e ka konsideruar si korruptiv vendimin për të financuar 100% nga buxheti i shtetit ndërtimin e portit te ri në Durrës, ndryshe nga çfarë ishte premtuar fillimisht nga qeveria.

Më tej Bardhi u ndal edhe tek deklaratat e ndryshme që kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku, kishin bërë në harkun kohor të një viti sa i takon financimit të portit të ri.

Por ministrja Balluku duket se ngeli pa fjalë dhe nuk iu përgjigj Bardhit duke u larguar nga salla e Kuvendit.

“Në atë kohë kur kaloi ligji për portin aktual të Durrësit, u zotuan para Kuvendit dhe nuk ka akt më të rëndë sesa kur qeveria gënjen Kuvendin. U zotuan këtu se për portin e durresit nuk do jepnin asnje qindarkë nga buxheti i shtetit. Sot do paguajnë 400 milion euro.Këta të dy bëjnë sikur nuk kanë dijeni. Sikur jetojnë në hënë. Këta që kanë një sistem patronazhistësh dhe dinë se çfarë hanë shqiptarët në shtëpinë e tyre dhe nuk dinë se çfarë bëjnë drejtorët e tyre. Vetëm në një procedurë prokurimi, drejtori i autoritetit rrugor kishte vjedhur 1.5 milion euro” – tha deputeti demokrat.