“Më bullizuan”, ja çfarë deklaroi infermieri në Shkodër që tentoi të vriste dy kolegët

Një ngjarje e rëndë që mund të përfundonte me dy jetë të humbura ka ndodhur ditën e djeshme në Shkodër. Një infermier 38 vjeçar ka përplasur me makinë dy kolegët e tij, nënë e bir, në përpjekje për t’i vrarë.

Davë dhe Kristian Ndoja, përkatësisht 60 dhe 32 vjeç punonin bashkë me të në qendrën shëndetësore në Bushat dhe ishin duke ecur mbi trotuar kur ndodhi ngjarja.

Në dëshminë e dhënë për policinë, autori ka thënë se e bëri veprimin pasi kolegët e kanë bullizuar.

Mlloja u arrestua nga policia, teksa u sekuestrua edhe makina e tij. Ai akuzohet për “vrasje me dashje, e mbetur në tentativë”.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, menjëherë pas marrjes së njoftimit se një shtetas kishte përplasur me automjetin që drejtonte, 2 shtetas që po kalonin në korsinë e dedikuar për këmbësorë, kanë nisur menjëherë veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të automjetit.

Në përfundim të veprimeve të kryera në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve ndaj Personit të DVP Shkodër, u arrestua në flagrancë shtetasi Mersin Mlloja, 38 vjeç, banues në fshatin Kosmaç, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.

Ky shtetas, më datë 15.03.2024, në Bushat, dyshohet se për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë, duke i përplasur me automjetin që drejtonte, në korsinë e dedikuar për këmbësorë, 2 kolegët e tij, shtetasit D. N., 60 vjeçe dhe K. N., 32 vjeç (nënë e bir), të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Automjeti që drejtonte shtetasi M. M. është sekuestruar në cilësinë e provës materiale”, njoftoi policia.