Çudirat në vendin tonë nuk kanë fund dhe ku protagoniste është vetë qeveria.
Pak ditë më parë Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, doli me krenari e tregoi se kanë gati tashmë një skemë tjetër për mbështetjen e fermerëve.
Ajo bëri të ditur se kjo skemë është gjithëpërfshirëse dhe pritet të përfitojnë mbi 70 mijë fermerë nëpërmjet 8 masave të ndryshme.
“Kemi nisur punën për jetëzimin e Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi, ku me risitë e këtij viti planifikojmë më shumë përfitim për çdo fermer aplikues që plotëson kriteret”- u shpreh Denaj, e cila nuk ngurron që në rrjete sociale, të reklamojë se si do të funksionojë kjo skemë. Fermerët të cilët bashkohen do të kenë prioritet në financim përmes skemës kombëtare të mbështetjes për vitin 2024. Po ashtu ndryshime ka edhe skema e naftës, ku paratë do të kalojnë direkt në llogarinë e fermerëve.
Mirëpo se sa do ti ndihmojë fermerët kjo skemë, mbetet për tu parë, duke theksuar se buxheti për bujqësinë për këtë vit është shkurtuar në krahasim me një vit më parë dhe kostot për fermerët janë rritur.
Me mungesën e fondeve të IPARD dhe më pak lekë për vitin 2024, qeveria pretendon tu vijë në ndihmë fermerëve.
Ministrja Denaj thotë se me Skemën Kombëtare 2024, bujqësia në serra mbështetet në vlerën 200 mijë lekë për hektar, për sipërfaqe 1 deri në 5 hektarë, por jo më shumë se dy sezone mbjellje në vit apo bletaria mbështetet në vlerën 1000 lekë për zgjua, për fermat mbi 50 zgjoje. Këtu po sjellim vetëm një pjesë të skemës, që padyshim mund të konsiderohet tallese për fermerët.
Edhe pse qeveria ka nxituar të sjell një tjetër skemë për fermerët duhet të theksojmë se ende nuk ka një hetim sa i takon bllokimit të fondeve të “IPARD II” nga BE, për shkak të korrupsionit dhe mos respektimit të procedurave ligjore nga AZHBR në shpërndarjen e tyre.
Hetimi, ka zbuluar se se autoritetet shqiptare, nuk kanë respektuar procedurat ligjore në shpërndarjen e granteve për fermerët duke bërë që një pjesë e madhe e fondeve të vidhen.
Rikujtojmë se më 19 korrik 2023, Komisioni Evropian zyrtarizoi ndërprerjen e përkohshme të rimbursimeve ndaj Shqipërisë në kuadër të programit “IPARD II”.
Një program ky, i cili lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me fondet evropiane për bujqësinë, ku janë pezulluar miliona euro grante për këtë sektor.
Por edhe në këtë rast, ky skandal u konsiderua si diçka normale, pasi sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural këto janë procedura normale të Bashkimit Europian.
OLAF, zyra europiane kundër mashtrimit, që prej muajit gusht 2023 ka dorëzuar tek autoritetet shqiptare raportin përfundimtar për fondet e “IPARD II” dhe është në pritje të dhënies së përgjigjes nga autoriteti kompetent.
Duhet thënë se Prokuroria e Posaçme ka regjistruar një hetim sa i përket abuzimeve me fondet e IPARD por ato janë ende në proces verifikimi.
Por kjo nuk e penguar qeverinë, të vijojë sërish propagandën e saj për fermerët, të cilët kishin paralajmëruar edhe protesta masive në të gjithë vendin, të frymëzuar ndoshta edhe nga protestat e fermerëve në shumë vende të Europës.
Megjithatë duhet ta themi, fermerët shqiptarë janë të vjedhur, pa mbështetje dhe shumë prej tyre janë detyruar dhe të largohen nga vendi, duke hedhur poshtë mundin e shumë viteve.