Lajmi se kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka mbledhur kryetarët e grupeve parlamentare në një takim që ka zgjatur 3 orë për të negociuar normalizimin e situatës në Parlament, nuk është pritur mirë nga PD e vulës.
Pas në media qarkulloi lajmi se mazhoranca është gati të bëjë lëshime për Komisionet Hetimore dhe bashkëkryetarin e Reformës Zgjedhore, ka ardhur edhe reagimi i Enkelejd Alibeajt.
Ai ka akuzuar Partinë Socialsite se po tenton të bëjë pazare për Reformën Zgjedhore, pasi një marrëveshje mes mazhorancës dhe Rithemelimit do ta largonte atë nga posti i bashkëkryetarit të Komisionit.
Sipas tij, të dy palët kanë rënë dakord për të dështuar Komisionin e Reformës Zgjedhore në mënyrë që çështja të kalojë në Komisionin e Ligjeve ku socialistët kanë vendimin me shumicë votash. Ai akuzon se Rama dhe Berisha janë bashkë kundër votimit të diasporës, votimit elektronik, listave të hapura dhe zonës zgjedhore.
Postimi i Enkelejd Alibeaj:
Dy sqarime që duhet të dijë publiku për negociatat sekrete apo marrëveshjet okulte të përfolura në media:
1. PS duhet të sqarojë nëse ka vendosur të bëjë pazare për Reformën Zgjedhore. Në mediat referuar burimeve nga PS dhe grupit të Sali Berishës, është bërë e ditur se ka një marrëveshje për të dështuar Komisionin e Reformës Zgjedhore në mënyrë që çështja të kalojë në Komisionin e Ligjeve ku socialistët kanë vendimin me shumicë votash dhe veçanërisht. ku opozitës i mohohet dhe e drejta e Vetos, si garanci që PS nuk do të bëjë një ligj elektoral të njëanshëm duke peshkuar votat e opozitës. Dihet se janë kundër votimit të diasporës, votimit elektronik, listave të hapura, zonës zgjedhore. Nëse kjo është e vërtetë, ky është një pazar në kurriz të shqiptarëve dhe në interes të dy individëve që duan të mbajnë peng Shqipërinë, Rama dhe Berisha.
2. Asnjë kandidat apo i dëshirueshëm i Edi Ramës nuk mund të flasë në emër të PD.