Ndotën ujërat në akuariumin e portit të Durrësit, nisin hetimet për ekuipazhin e anijes tregtare

Tre shtetas të huaj janë proceduar penalisht nga policia pasi kanë ndotur ujërat në akuariumin e portit të Durrësit.

Procedimi ndaj tyre nisi pasi anija tregtare që kanë nën përgjegjësi ka ndotur ujërat për shkak të një defekti, më konkretisht nga çarja e tubit të presionit të vajit.

Personat nën hetim për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”, janë kapiteni i anijes 48-vjeçari P.L nga Rusia, kryemekaniku 35-vjeçari A.S nga Rumania dhe mekaniku 63-vjeçari V.F nga Rusia.

“Menjëherë pas njoftimit për ndotje të ujërave në kalatën nr.7 të portit të Durrësit, specialistët e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me ata të Kapitenerisë së Portit, IKMT-së dhe të mjedisit, kryen verifikimet për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit përgjegjës.

Për rastin u referuan materialet në Prokurori, ku nisën procedimet në gjendje të lirë, për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”, për shtetasit P. L., 48 vjeç, banues në Rusi, A. S., 35 vjeç, banues në Rumani dhe V. F., 63 vjeç, banues në Rusi.

Procedimi penal për këta shtetas nisi sepse nga verifikimet rezultoi se ndotja e ujërave ishte shkaktuar nga çarja e tubit të presionit të vajit, të anijes tregtare, në të cilën shtetasi P. L. është kapiten, shtetasi A. S. është kryemekanik, ndërsa shtetasi V. F. është mekanik i dytë”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.