Nxiste djalin të mbante armë zjarri, Orges Shijaku djali i piktorit të shquar shqiptar

Policia e Tiranës njoftoi sot se kishte proceduar penalisht një 16 vjeçar dhe ka shpallur në kërkim babain e tij.

Ai është Orges Shijaku, djali i piktorit të njohur Sali Shijaku , edhe vetë artist, skulptor, restaurator dhe piktor.

Agjentët e Komisariatit nr. 3 morën informacion se një grup prej 4 apo 5 nxënësish në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në Tiranë lëviznin me thika brenda shkollës dhe befasisht organizuan kontroll. Të vetmit që iu gjetën 2 thika ishte djali i mitur i Orges Shijakut. Më pas, gjatë kontrolleve në shtëpi u gjetën armatimet e tjera, të cilat gjetur në një dhomë që shërbente edhe për fjetje edhe studio arti.

Djali i mitur u ka thënë hetuesve se armët janë të babait dhe në celular i janë gjetur dhjetëra foto të cilat ishin shkrepur brenda shtëpisë, po me armë.

Djali jetonte me nënën, pasi Orges Shijaku ishte divorcuar nga bashkëshortja, por shkonte shpesh në shtëpinë e babait. Shijaku për momentin rezulton jashtë kufijve të vendit, në Zvicër.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në zbatim të masave të përcaktuara në Paketën për Sigurinë në shkolla, si dhe të planit operacional mbarëkombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, pas sigurimit të informacionit se një 16-vjeçar, dyshohej që mbante armë të ftohta gjatë kohës që frekuentonte mësimin, si dhe shtyhej nga babai i tij, për të përdorur armë zjarri, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Around”.

Gjatë këtij operacioni u procedua penalisht një shtetas 16 vjeç, si dhe punohet për kapjen dhe arrestimin e babait të tij, shtetasit O. Sh., 52 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se 16-vjeçari, mbante armë të ftohta gjatë kohës që frekuentonte mësimin në shkollën e tij, si dhe shtyhej nga babai i tij, për të përdorur armë zjarri.

Gjatë kontrollit të banesës së tyre, shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan 6 armë (pushkë, shotgun, sportive, gjysëm automatike), sasi municioni luftarak të kalibrave të ndryshëm, 2 mjete prerëse, si dhe 2 palë targa”,- thuhet në njoftimin e Policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.