Një tjetër gjyq e pret Shqipërinë në Gjykatën Ndërkombëtare, që me shumë gjasë do të detyrojë shtetin tonë të paguajë dhjetëra miliona euro të tjera dëmshpërblim për prishje të njëanshme të kontratës me kompanitë e huaja.
Tashmë radhën për të mbushur llogaritë bankare me lekët e qytetarëve shqiptarë e ka kompania gjermane EMS APO, e cila kishte nënshkruar kontratën për ngarkimin dhe shkarkimin e mallrave të anijeve në Terminalin Lindor të Portit të Durrësit.
Projekti i ri i transformimit të portit u kërkoi atyre të zhvendosnin operacionet e tyre në Porto-Romano, por kjo nuk është pranuar nga kompania gjermane, që i është drejtuar gjykatave ndërkombëtare. Kompania kërkon 40 milionë euro dëmshpërblim, që duket se do t’i marrë.
Por kjo është vetëm maja e ajsbergut të madh të mbushur me detyrimet e Shqipërisë ndaj kompanive dhe sipërmarrësve të huaj.
Fatura më e madhe është ajo e përfituar nga Francesco Beçhetti, i cili falë gjyqit të fituar në arbitrazh do të “zhvasë” nga arkat e shtetit shqiptar më shumë se 110 milionë euro.
Sipas të dhënave të “Open Data”, detyrimet e shtetit shqiptar për këtë çështje janë në vlerën 108.2 milion Euro si dëmshpërblim i drejtpërdrejte ndaj Investitorit dhe 2.61 milionë Euro si shpenzime administrative dhe ligjore të arbitrazhit. Deri në Maj 2023, shteti shqiptar ka paguar rreth 1.39 milionë Euro për shpenzimet ligjore të përfaqësimit të vendit në arbitrazh. Detyrimi i mbetur për tu likuiduar është rreth 109.2 milionë Euro.
Kompania KURUM ka kallëzuar shtetin shqiptar për prishje të njëanshme të kontratës sё koncesionit Pёr Menaxhimin, operimin, mirëmbajtjen dhe përmirësimin teknik tё terminalit tё kontejnerëve nё Portin e Durrësit, si dhe pёr shkak tё marrjes sё aseteve tё terminalit nga Autoriteti Portual i Durrësit. Sipas ICSID, shuma e kompensimit e pretenduar nga kjo kompani ёshtё 100 milionë Euro.
Por Shqipëria ka njohur si borxh vetëm 2.47 milionë euro, ndërkohë që duhet pritur vendimi i gjykatave se cila do të jetë shumë që do të paguajnë shqiptarët për këtë kompani.
Deri më tani, Shqipëria ka njohur zyrtarisht Detyrime si pasojë e çështjeve të humbura në arbitrazh në vlerën 175 857 595 Euro. (Shih tabelën më poshtë)

Të dhënat e siguruara nga OPEN DATA
Një tjetër çështje në gjykatat ndërkombëtare është ajo e kompanisë Ivicom Holding GmbH. Arsyeja e paditjes është refuzimi i dhënies se lejes mjedisore nga shteti shqiptar për ndërtimin e një termocentrali me turbina me gaz me cikël të kombinuar në Korçe. Kostoja e projektit ishte planifikuar 618 milionë dollarë. Për vlerën e dëmshpërblimit të pretenduar nga ana e paditësve nuk ka ende informacion.
Nëse të gjitha vendimet do të merren kundër Shqipërisë, atëherë fatura totale që do të paguajnë qytetarët shqiptarë është më shumë se 365 milionë euro.
A do të mbajë ndonjë përgjegjësi për këto qindra milionë euro dëm të shkaktuar buxhetit të shtetit?