Kontrolli në banesën e Ahmetajt dhe bashkëjetueses së tij, Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e ish-zv.kryeministrit, zbardhet vendimi

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ankimimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj për kontrollin e banesës së tij dhe të bashkëjetueses Eriola Hoxha nga agjentët e BKH-së në mars të vitit 2023.

Kontrolli i ushtruar pas kërkesës së SPAK dhe aprovimit të gjykatës u mbajt jo vetëm fizikisht ndaj Erjola Hoxhës, por dhe një shtëpie në Hamallaj të Durrësit.

Gjykata vendosi rrëzimin e ankimimit të Ahmetaj me arsyetimin se nuk kishte shkelje të të drejtave të subjekteve.

Gjykata Kushtetuese po ashtu vlerëson në vendim se interpretimi i ligjit nga Gjykata e Juridiksionit të zakonshëm nuk është arbritrar ose haptazi i paarsyeshëm që tu ketë cënuar kërkuesve të drejtat e aksesit dhe të ankimit efektiv.

Arben Ahmetaj, nga arratia, kërkoi në Kushtetuese shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Lartë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në Apel.

Në ankimim, ish-zyrtari i lartë ka renditur katër pika pse e konsideron të paligjshëm kontrollin e banesave.

Sipas Ahmetajt, kontrollet janë në papajtueshmëri me ligjin dhe antikushtetuese, pasi nuk ka patur autorizim nga Kuvendi, sepse në njërën nga banesat jetonte edhe vetë ish-z.kryeministri që gëzonte mandatin e deputetit.