Kuvendi miratoi dje ndryshimet në qeveri, betohen sot në Presidencë ministrat e rinj të Ramës

Janë betuar sot në Presidencë ministrat e rinj të qeverisë Rama.

Blendi Gonxhe është betuar si Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ndërkohë Adea Pirdeni si Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

Ervin Mete u betua si Ministër i Financave.

Adea Pirdeni prej tre vitesh mbante detyrën e Zv.Ministres së Drejtësisë, ndërsa Blendi Gonxhe atë të drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. 

Ditën e djeshme në Kuvend, në seancën e cila zgjati pak minuta, për shkak të aksionit opozitar, u miratuan këto ndryshime në qeveri, të bëra javën e kaluar nga kryeministri Edi Rama.

Presidenti Bajram Begaj u dorëzoi ministrave dekretin përkatës të emërimit duke i uruar suksese në detyrën e tyre.