Nga rritja e pagave të gjyqtarëve kushtetues te amnistia, mazhoranca kërkon ndihmën e opozitës për votimin e ligjeve

Ligjet që kërkojnë minimalisht 84 vota për t’u miratuar kanë detyruar mazhorancën që të kërkojë ndihmën e opozitës, të cilës prej muajsh i kanë refuzuar të drejtën për ngritjen e Komisioneve Hetimore.

Ditën e sotme ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i bëri thirrje opozitës që në senacën plenare të ditës së hënë të bashkojnë votat dhe të miratojnë ligjin për amnistinë, që sipas tij ka qëllime humane, për të bashkuar familjet me të afërmit e tyre që u kanë ngelur pak muaj dënimi.

Por ligji për amnistinë nuk është i vetmi që kërkon 84 vota, pasi prej muajsh Kuvendi po mban në pritje të kalimit për votimin rritjen e pagave të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ky ligj u fut 2 herë në rendin e ditës në seancë plenare, por asnjëherë nuk u hodh në votim, pasi mazhoranca nuk kishte votat e duhura për ta miratuar.

Madje, përveç mungesës së Arben Ahmetajt, në kundërshtim të këtij ligji ishte edhe socialisti Fatmir Xhafaj, por ky i fundit tashmë duket se është dakord për ta votuar. Në fillimet e diskutimeve për këtë ligj, Lulzim Basha deklaroi se ai dhe deputetët që e mbështesin do ta votonin, ndërkohë që nuk dihet nëse ende do t’i qëndrojë asaj deklarate.

Opozita nga ana e saj ka deklaruar se pavarësisht mungesës së Berishës, aksioni opozitar do të vijojë, ndaj ehde në seancën plenare të së hënës pritet që deputetët opozitarë të mos lejojnë zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit, pavarësisht se tashmë rrezikojnë deri në 2 muaj përjashtim nga seancat plenare.